Rikthehen tensionet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e përjashtuar demokratë për shkak të akteve të dhunës e kaosit në seancën plenare të 30 shtatorit e që kulmuan me djegien e karrigeve, po tentojnë të hyjnë në selinë e parlamentit. Por nuk lejohen nga efektivët e gardës, të cilët poshtë shkallëve të pjesës ballore kanë vendosur një gardh metalik.
Nga deputetët demokratë, po shënohen përpjekje për të shkulur e kapërcyer gardhin, si dhe ka përplasje fizike me efektivët e gardës. Në krye të këtyre përpjekjeve janë Flamur Noka e Bledjon Nallbati.
Ndërkaq, Gazment Bardhi tha se kjo është e turpshme dhe nuk është qeli.
Hape krahun! Po mbroni kriminelët, hapuni! T’ju vijë zor! Legena, shërbejini Edit!
Ndërkohë ka nisur seanca plenare dhe deputetja demokrate, Sorina Koti tha se duhen lejuar të hyjnë ata që nuk janë përjashtuar me vendim të Etikës.
Garda nuk lejon deputetët e papërjashtuar të hyjnë në sallë.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali:
Le të hyjnë, nuk ndalohen.
Ndërkaq, te gardhi është shpalosur një banderolë me mbishkrimin:
Edi Rama, mafia!
Nga ana tjetër, janë mbledhur disa karrige pranë foltores.
Garda nuk ka lejuar as mediat të hyjnë në Kuvend gjatë paradites së sotme. Tre deputetë të Partisë Demokratike, Dashnor Sula, Sajmir Korreshi dhe Bledjon Nallbati tentuan të hyjnë nga hyrja e Akademisë së Shkencave, por efektivët u vendosën menjëherë në pozicion për të mos lejuar gazetarët dhe operatorët të afrohen.
Sa i përket tensioneve brenda Kuvendit, deputetja Elda Hoti hodhi një lëndë të lëngshme në sallë, përjashtohet. Hoti nxori dy shishe nga çanta duke spërkatur tapetin, ishte parfum.
Ndërkaq, në sallë hyri deputetja Albana Vokshi, e cila po debaton ashpër me kolegë socialistë. Kryetari republikan, Fatmir Mediu mori fjalën e tha se “në këtë parlament ka më shumë gardistë se deputetë”.
Teksa çeljen e negociatave e quajti moment historik, Elisa Spiropali apeloi që opozita t’i kthehet arsyes e të mos hedhë më molotov. Më tej, tha:
Jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë.
Fjalën e mori edhe Agron Shehaj, i cili ndërsa ka tensione në sallë, deklaroi se “maxhoranca po mburret për gjendjen e opozitës”. Për të penguar punimet në seancë, deputetët e opozitës po i bien tavolinave.