Bota

Rikthehen në qarkullim disa nga trenat e shpejtë në Francë!

Shtatë nga dhjetë trenat e shpejtë të Francës, sot qarkullojnë në tre linja kryesore, pasi sabotatorët paralizuan pjesën më të madhe të rrjetit hekurudhor, dje në ditën kur në Paris nisën Lojërat Olimpike. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e koordinuara me zjarrvënie në kutitë e kabllove në kryqëzimet strategjike në veri, jugperëndim e lindje të Parisit.

Punonjësit e sistemit të hekurudhave penguan përpjekjet për të shkatërruar pajisjet e sigurisë në një linjë tjetër dhe kompania hekurudhore SNCF e cilësoi “sulm masiv”.

Shtatë nga dhjetë trenat po udhëtojnë me një vonesë prej një apo dy orësh, u shpreh SNCF-ja përmes një deklarate.

Kjo kompani shtoi se punonjësit kanë punuar natën në “kushte të vështira, në kohë me shi, për të mundësuar përmirësimin e linjave të trenave të shpejtë që u prekën nga akte sabotuese”.

Në këtë fazë, trafiku do të ketë pengesa të dielën në aksin e Veriut dhe përmirësime në të Atlantikut gjatë fundjavës, siç njoftoi kompania, duke shtuar se pasagjerët do të njoftohen përmes mesazheve telefonike e emaile-ve për trenat që punojnë.

SNCF-ja vlerëson se të paktën 250 mijë pasagjerë u prekën dje si pasojë e zjarrvënieve. Sulmet e koordinuara u kryen në orën 04:00 të mëngjesit të 26 korrikut. Olimpiada nisi me një spektakël magjik.

Lojërat Olimpike të Parisit u hapën dje në një pasdite plot shi, me një ceremoni të jashtëzakonshme dhe me ngjyra në zemër të kryeqytetit francez, duke kulmuar me ndezjen e flakës olimpike. Shiu i rrëmbyeshëm nuk e zbehu humorin e atletëve që parakaluan me varka në Senë.

Monumentet e Parisit si katedralja “Notre Dame”, Luvri e Pont Neuf u shfaqën dukshëm në një show luksoz, teksa Franca shpalosi kulturën dhe historinë, nga revolucioni i vitit 1789 te “Les Misérables” i Viktor Hygos, duke u bërë gjithashtu homazhe atyre që rindërtuan katedralen “Notre Dame”-it, pas shkatërrimit në zjarrin e vitit 2019.

Lady Gaga performoi një këngë kabare franceze me kërcimtarë dhe Céline Dion këndoi “L’Hymne à l’amour” nga Kulla Eiffel, që disa minuta më parë ishte vendi i një shfaqjeje gjigante me drita, performanca e saj e parë në vite pasi u diagnostikua me Sindromin e Personit të Ngurtë.