Aktualitet

Rihapja e hetimeve të “21 Janarit”/ Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi paraqitet në SPAK!

Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK këtë të martë, pas rihapjes së hetimit për “21 Janarin”.

Ai u paraqit një ditë pas bashkëshortes dhe xhaxhait të njërit prej viktimave, Aleks Nikës.

Ata dhanë dëshmitë e tyre para prokurorëve të SPAK, si persona që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin.

Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” disa ditë më parë.

Pavarësisht se në denoncim përmendet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme, dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës.