Rikthimi i shumëpritur i yllit të muzikës, Rihanna në skenën e muzikës ndodhi më 12 shkurt në shfaqjen e “Super Bowl”. Fituesja e nëntë çmimeve “Grammy”, gjithashtu ka konfirmuar se është shtatzënë me fëmijën e saj të dytë, pasi i befasoi fansat me një rikthim madhështor.
34-vjeçarja, e cila solli në jetë fëmijën e saj të parë vetëm nëntë muaj më parë, shkaktoi mjaft zhurmë në rrjetet sociale teksa doli në skenë dhe fërkoi barkun e saj para një publiku prej miliona njerëzve në Stadiumin State Farm në Glendale, Arizona. Një përfaqësues i yllit konfirmoi lajmin për fëmijën menjëherë pas përfundimit të performancës.
Kjo është hera e parë që ajo performon në televizion drejtpërdrejt që nga viti 2018, ku ajo ishte bashkuar me DJ Khaled në skenë për të kënduar “Wild Thoughts” në “Grammy Awards”. Rihanna iu përmbajt hiteve të vjetra dhe nuk zbuloi asnjë këngë të re gjatë performancës së saj, e cila përmbante gjithsej 12 këngë.
Ylli nuk ka publikuar një album solo që nga janari i 2016. Muzika e saj e vetme solo në shtatë vitet e fundit erdhi në tetor, kur ajo publikoi “Lift Me Up” në nderim të aktorit të ndjerë Chadwick Boseman për filmin “Black Panther: Wakanda Forever”, i cili i dha këngëtares një nominim për një çmim “Oscar”.
Shfaqja në “Super Bowl” është gjithashtu performanca e saj e parë që prej lindjes së fëmijës së parë në maj të vitit 2022. Kjo është hera e dytë që Rihanna-s i kërkohet të performojë në “Super Bowl” pasi ajo thuhet se refuzoi një ofertë në vitin 2018 për shkak të solidaritetit me qendërmbrojtësin Colin Kaepernick dhe protestës së tij kundër padrejtësisë racore.
Diva e muzikës pop Rihanna së shpejti do t’u rikthehet turneve. Sipas “The Sun”, datat për Amerikën e Veriut janë vendosur dhe pas shfaqjes në “Super Bowl”, artistja do të organizojë një turne botëror dhe datat për Evropën do të publikohen në vitin 2024. Bukuroshja është parë disa herë në studio muzikore, por zërat kanë deklaruar se kishte shkuar për të vizituar partnerin e saj, A$AP Rocky.