Bota

Rezultatet e zgjedhjeve që tronditën Parlamentin Europian, cilat janë ndryshimet që pritet të ndodhin!

Zgjedhjet katërditore për Parlamentin Evropian kanë tronditur themelet e këtij parlamenti. Partitë e djathta të vijës së ashpër u dhanë goditje partive në pushtet në Francë dhe Gjermani, forcat kryesore të BE-së. Franca reagoi ndaj rezultatit duke shpallur zgjedhje të parakohëshme kombëtare pas tre javësh. Partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni, fitoi më shumë se 28% të votave kombëtare për organin legjislativ të BE-së, gjë që e bën atë një lojtare kyç në formimin e aleancave të ardhshme. Megjithëse partitë pro-evropiane do të vazhdojnë të kenë shumicën në Parlamentin Evropian, forcimi i partive të së djathtës së skajshme do ta bëjë më të vështirë miratimin e ligjeve. Të Gjelbrit dhe grupet liberale pro-biznesit pësuan disfata të rënda.

Padyshim në Francë, ylli i një nate zgjedhore që forcoi pozitat e së të djathtës së skajshme, ishte partia e zonjës Marine Le Pen në Francë. Partia kundër emigracionit dhe zgjerimit të BE-së e zonjës Le Pen “Tubimi Kombëtar” ka marrë mbi 31% të votave, më shumë se dyfishi i partisë së “Rilindjes” së Presidentit Emmanuel Macron. Të dielën në mbrëmje Presidenti francez, duke shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në fund të këtij muaji, njoftoi:

Unë po shpërndaj sot Kuvendin tonë Kombëtar.

Sophie Russack, analiste në Qendren për Studime të Politikave Evropiane, me seli në Bruksel, tha:

Ne e kemi parë që partitë e së djathtës së skajshme në Francë do t’ia dalin shumë mirë. Por ajo që ishte e befasishme, ishte reagimi i Macronit për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Vendimi i presidentit francez vlerësohet si një bast i madh politik pasi partia e tij mund të pësojë më shumë humbje, duke vështirësuar pjesën tjetër të mandatit të tij presidencial, që përfundon në vitin 2027.

Unë nuk e kuptoj këtë lëvizje politike. Franca ka institucione të forta, ai duhet t’u kishte besuar atyre. Nga fillimi deri në fund, mandatet e tij pesëvjeçare janë shqetësuese për shoqërinë franceze. Ka shumë kriza, sociale, mjedisore dhe këto vota reflektojnë njëfarë trazire sociale. Megjithatë mendoj se zgjedhjet e parakohëshme do të shënojnë një fillim të ri dhe besoj që francezët do të gjejnë një zgjidhje për vitet në vijim.