Aktualitet

“CN Traveler” i dedikon artikull plazheve të virgjëra shqiptare

Revista e njohur prestigjioze ka bërë një artikull duke reklamuar plazhet e virgjëra shqiptare.

Vendi mesdhetar që deri para pak vitesh sfumohej nga fqinjët e saj Kroacia dhe Greqia, tanimë po del në dritë dhe fjala po përhapet shpejt për bukuritë e saj, shkruan në artikullin e saj media e njohur amerikane e specializuar në ofrimin e këshillave turistike për miliona lexuesit e saj.

CN e tregon Shqipërinë si një destinacion ku mund të gjesh gjithçka, por mbi të gjitha plazhe të mrekullueshme dhe jo të mbipopulluara thotë prestigjiozja, për një romancë vere të paharrueshme.

Në artikull përmenden disa prej gjireve dhe plazheve më të paprekura nga dora e njeriut  ku listën e kryeson gjiri i gramës në Vlorë, dhe më pas duke shkuar më poshtë rivierës së jugut me Dhërmiun, Drimadhën, Llamanin, Himarën, Sarandën dhe ishujt e Ksamilit. Borshi dhe plazhi i Qeparoit përmenden si ato që ofrojnë një natyrë të egër me pemët e ullirit që rriten në mënyrë spontane në shtëpitë e banorëve, ndërsa për më shumë privatësi, CN Travelere rekomandon edhe  plazhin e Gjilekës.

Listës nuk i ka shpëtuar edhe Durrësi, ku revista prestigjioze shprehet se turistët do mund të gjejnë përveç disa vendeve të njohura romake, si amfiteatri, banjat dhe një ujësjellës antik, ai është i bekuar me një shtrirje plazhi rreth 12 kilometra të gjatë që garanton gjetjen një shezlong ku mund të vendosni peshqirin tuaj.