Vazhdon puna për minimizimin e pasojave nga moti i keq, me shira intensivë, sidomos në jug të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE bën të ditur se grupet e punës në të gjithë territorin kanë qenë në gatishmëri dhe po vijojnë operacionet deri në normalizimin e situatës.
Në aksin Levan-Vlorë, si pasojë e prurjeve të mëdha, ka prezencë uji në një pjesë të segmentit, në zonën pranë rrethrrotullimit të Nartës. Po punohet për largimin e ujit nga rruga.
Në rajonin verior ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në akset Dushaj–Sheshi i Trageteve–Lekbibaj, Burrel–Klos, Lezhë–Vau Dejës, Bogë–Theth. Menjëherë është bërë pastrimi dhe qarkullimi po vijon normalisht.
Në zonën e Vlorës, për shkak të prezencës së lartë të ujit, OSSH ka stakuar nga puna nënstacionin që furnizon me energji elektrike një pjesë të konsiderueshme të qytetit.
OSSH ka marrë masa që objektet e rëndësisë së veçantë të furnizohen normalisht. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rivendosjen në funksion të rrjetit elektrik. Aktualisht, në të gjithë vendin, janë 13 fidra jashtë funksionit.
Në të gjithë vendin, situata e furnizimit me ujë, si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura, janë në kushte optimale.
Dje në intervalin kohor 12:00 – 15:00, disa fluturime që ishin për t’u ulur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) janë devijuar drejt aeroporteve të vendeve fqinje. Aktualisht, operimi në TIA po vazhdon normalisht.
Në Portin e Durrësit, situata paraqitet pa probleme. Nuk ka problematika as në përpunimin e mallrave. Vetëm anijet e peshkimit nuk janë lejuar të dalin në det deri në një urdhër të dytë nga Kapiteneria e Portit.
Sot vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash, deri të dendura e me shira. Gjatë ditës, reshjet do të mbeten prezente, lokalisht me shtrëngata afatshkurtra. Temperaturat variojnë 12-28 gradë celcius.
Në Ballkan, moti i keq me stuhi ka goditur rëndë edhe Bosnjë-Hercegovinën. Të paktën 16 njerëz vdiqën nga përmbytjet në Bosnjë dhe shumë të tjerë u zhdukën pasi shiu i rrëmbyeshëm e rrëshqitjet e dheut shkatërruan shtëpi, rrugë dhe ura në të gjithë qendrën e vendit, siç thanë zyrtarët. Komuna e Jabllanicës, rreth 70 km në jugperëndim të kryeqytetit Sarajevë, ku u raportuan vdekjet, u izolua plotësisht pasi u shkatërruan lidhjet rrugore e hekurudhore.