Nga dje në mbrëmje e deri sot në mëngjes, territori i qarkut Kukës u përfshi nga reshje shiu me intensitet të lartë, të shoqëruara me erë të fortë dhe reshje dëbore në lartësitë mbi 750 m, me trashësi që varion nga 10 deri 20 cm. Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca tha për ATSH-në se “si pasojë e kësaj situate ka pasur rënie inertesh në disa segmente rrugore, si dhe prani të dëborës në to, ku vlen të përmendet segmenti Ura e Zapodit -Shishtavec ku trashësia e borës arrin në 20 cm”.
Geca bën të ditur se nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për mbajtjen hapur të të gjitha rrugëve nacionale.
Aktualisht të gjitha akset nacionale që përshkojnë territorin e qarkut Kukës janë të qarkullueshme normalisht. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjence. Rrugët bashkiake janë të kalueshme normalisht.
Konkretisht, në Rrugën e Kombit nga km 77 deri në km 84 ka pasur reshje bore kanë punuar mjetet borëpastruese, qarkullimi ka vazhduar normalisht. Aksi rrugor Fushëdukagjin – Qafshllak nuk ka probleme. Në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan -Qafë Morinë- Tropojë-Shipshan, Sopot-Kërrnaj, Bajram Curri-Fierzë, Bajram Curri- Cërrnicë, Sopot-Kam, Dushaj-Lekbibaj gjatë natës ka pas reshje shiu me intensitet të lartë e shoqëruar me erë të fortë në lartësinë 750 m ka pas reshje bore dhe qarkullimi vijon normalisht.
Në aksin Kukës – Shishtavec gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe dëbore, por janë marrë masat për pastrimin e gurëve dhe të dëborës dhe kriposja e tyre. Qarkullimi në këtë aks vijon normalisht.
Sipas tij furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e qarkut Kukës, përveç fshatrave Dragobi e Valbonë, Njësia Administrative Margegaj, e bashkisë Tropojë, ku po punohet nga grupet e punës për rikthimin në normalitet të furnizimit me energji elektrike.
Furnizimi me ujë të pijshëm është normal. Nuk kemi pasur raste të Emergjencave Shëndetësore si pasojë e këtyre situatave klimaterike.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, sot vendi ynë është nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme si rezultat i depërtimit të masave ajrore të lagështa veriperëndimore. Në relievet e larta malore ka reshje dëbore. Temperaturat variojnë në vlerat 2-20 gradë celcius.