Amerikanët votuan ndërsa për Amerikën, nata zgjedhore e numërimit të votave është e gjatë. Me fitoret e republikanit Donald Trump në Karolinën e Veriut e në Georgia, dy prej shtatë shteteve kyçe amerikane ku sipas projeksioneve të CNN-it, ish-presidenti po kryeson, po ngushtohet rruga e zv.presidentes Kamala Harris drejt fitores po ngushtohet. Për këtë arsye, fitoret në shtetet e “Murit Blu”: Uiskonsin, Miçigan e Pensilvani, sidomos në këtë të fundit i ka tepër të domosdoshme.
Analistët thonë se me epërsinë e Donald Trump-it, zv.presidentja nuk mund të përballojë të humbasë Pensilvaninë.
Po, Nevada është atje. Arizona është atje. Miçigan dhe Wisconsin janë atje, u shpreh John King i CNN-it por votat e tyre elektorale nuk do të ishin një fitore.
Për Harris-in sa vjen e bëhet më e vështirë të kthejë valën. Me fitoren e rivalit në Georgia, rruga e saj është kufizuar ndjeshëm. Me 84% të votave të numëruara në Pensilvani, Trump ka pak më shumë se 3 pikë epërsi duke e “skuqur” këtë shtet kyç edhe pse zëvendëspresidentja po ndërton epërsinë e saj në bastionin demokrat të Filadelfias. King shtoi:
Nëse tani po shikoni hartën, do të preferonit të ishit Donald Trump.
Informacionet e fundit, bazuar në projeksionet e CNN-it, tregojnë se Harris ka fituar në Nju Meksiko, shtet ku luhen 5 vota zgjedhore. Republikanët janë në festë, të përgatitur për fjalimin e fitores së Donald Trump-it ndërsa fushata e Harris-it konfirmoi se kandidatja demokrate nuk do të flasë sonte duke theksuar rëndësinë që çdo votë të numërohet.
Ndërkaq, Alaska ishte i fundit shtet amerikan që mbylli kutitë. Alaska konsiderohet bastion republikan dhe vetëm njëherë, më 1964-ën, një demokrat u shpall fitues aty.
Ndër të tjera, zyrtarët amerikanë vazhdojnë të thonë se të paktën disa nga kërcënimet me bomba të bëra në qendrat e votimit në shumë shtete duket se kanë origjinën nga domeine ruse të postës elektronike. Por hetimi është në vazhdim e FBI-ja ende nuk ka konfirmuar publikisht se është dikush në Rusi që qëndron pas kërcënimeve.
Katër shtetet që kanë marrë këto kërcënime, Michigan, Wisconsin, Arizona dhe Georgia morën masa duke evakuar vendet e votimit për arsye sigurie.