Rajoni

Republika Sërpska tërhoqi ligjin për “Agjentët e huaj”, presidenti Dodik jep arsyet!

Presidenti i Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik, tha se ligji për regjistrin e veçantë dhe publicitetin e punës së organizatave jofitimprurëse u tërhoq nga procedura parlamentare, se siç theksoi “Republika Sërpska është e përkushtuar për rrugën europiane”. I njohur edhe si ligji për “Agjentët e huaj” u tërhoq nga debati në Asamblenë Kombëtare të entitetit serb të Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, një ditë më parë.

Ligji u tërhoq me kërkesë të Qeverisë së RS-së dhe vendimi u bë publik nga zv.kryeministri e ministri i Drejtësisë, Millosh Bukeloviç, i cili nuk dha detaje për arsyen.

Ligji ofron mbikëqyrje të posaçme e mundësi për të ndaluar punën e organizatave joqeveritare që financohen nga jashtë. Po ashtu, mundëson ndalim për aktivitete politike e krijon nevojën për regjistrim shtesë krahas dërgimit të raporteve financiare.

Te “agjentët e ndikimit të huaj”, ligji përfshin organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja e që merren me veprime apo aktivitete politike e ndikojnë në opinionin publik, si dhe ato që “shkelin integritetin e Kushtetutën e Republikës Sërpska”.

Në X, Dodik tha se ra dakord me Qeverinë e RS-së dhe anëtarët e koalicionit qeverisës në Parlamentit të këtij entiteti që të tërhiqej ligji, në mënyrë që sipas tij të “harmonizohet më shumë me ligjet që kanë e zbatojnë disa shtete europiane”, si dhe të “harmonizohet me praktikat ligjore europiane”.

Propozimi u tërhoq për koordinim shtesë e do të kthehet me kohë në një procedurë të re.

Dodik, nën sanksione amerikane dhe britanike për shkak të veprimeve antikushtetuese, pasi njoftuar për hartimin e këtij ligji, në vitin 2022. Asambleja Kombëtare e RS-së e miratoi draftin shtatorin e kaluar, ndërsa u kritikua nga publiku, sektori i organizatave joqeveritare dhe nga organizatat ndërkombëtare.

Sipas një kërkimi të kryer nga Radio Evropa e Lirë, ligji është i afërt me atë që Rusia aplikon nga viti 2012. Më herët, ambasada amerikane ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj është “shtypës dhe jodemokratik” e se “nëse zbatohet, do të shkelte në mënyrë drastike të drejtat dhe liritë e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska”.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë-Hercegovinë kërkoi tërheqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, sepse vetë ligji, siç u tha nga kjo zyrë, “ka për qëllim të heshtë e të frikësojë”.