Reperi me famë botërore, Drake, ka publikuar së fundmi albumin e tij më të ri me titull “For All The Dogs”. Albumi në fjalë përmban 23 këngë të reja dhe kënga e tij e fundit titullohet “Polar Opposites”. E veçanta e kësaj kënge është se në vargjet e saj ai ka përmendur Prishtinën.
“Ose është mesazhi yt që po e lexoj gabim; Ose thjesht veprimet tuaja janë mashtruese; Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë; E di që tensioni po rritet; Ka shumë njerëz të vdekur për mua që ende marrin frymë”, thotë mes të tjerash në vargjet e këngës reperi kanadez. Nuk dihet se prej nga ka ardhur frymëzimi i reperit për të përmendur kryeqytetin e Kosovës në këngën e tij.
Rikujtojmë se së fundmi reperi njoftoi se do të bëjë një pushim nga muzika për t’u fokusuar në shëndetin e tij. Drake zbuloi se ai ka pasur probleme serioze me stomakun për vite dhe tani do të marrë kohë për t’i trajtuar ato.