Renis Gjoka ka ardhur së fundmi me një projekt të ri siç ishte kënga e fundit me titull “Nuk të dua”. Me një tekst shumë të bukur dhe sigurisht me zërin e tij unik, Renisi ia ka dalë të sjellë një këngë që të kthehet si refren i ditës kur e dëgjon disa herë.
Me shumë gjasa këtë këngë do ta dëgjojmë edhe sonte në sheshin “Skënderbej” në koncertin që Renisi do të ketë në orën 19:00. Ai do të performojë disa nga hitet e tij më të njohura, disa prej tyre në bashkëpunim me artistë të tjerë të njohur që do t’i bashkohen si Eugent Bushpepa apo Redon Makashi. Për më shumë na flet vetë ai i ftuar në “Wake Up”…
Na fol pak më shumë për “Nuk të dua”, projektin tend më të ri…
Kënga është pjesë e albumit të ri që sapo ka dalë në treg. Albumi ka 7 këngë dhe vendosa që kjo të ishte e para. Unë bëra diçka, ja çova të gjitha këngët shoqërisë time dhe e bëra si sondazh. Në fakt kjo rezultoi më pak e votuara. Por mendova që kjo këngë vërtetë ka dalë e fundit, por po të zbrisja pak moshën apo faktorë të tjerë do të dilte më mirë në treg.
Teksti i këngës duket sa i ndjeshëm dhe romantik po aq edhe tregon për një revoltim të brendshëm, për një zhgënjim…
Teksti flet për një djalë që ka një frustrim të madh nga e dashura e tij dhe ikën larg, largohet me tren. I thotë asaj që ‘nuk të dua’.
Duket se kënga është pëlqyer shumë sepse është renditur menjëherë në vendin e 10-të në “The Top List”, Top Awards dhe ne e dëgjojmë shpesh edhe në Top Albania Radio. Ti ҫfarë komentesh ke marrë?
Unë i besova instiktit dhe më rezultoi që ishte zgjedhja e duhur që vendosa që këtë këngë ta publikoja të parën sepse vërtet ka pasur një ‘feedback’ të mirë. Është ende herët por të shohim në vazhdim.
Ndërkohë, duket se tashmë gjërat kanë ndryshuar në tregun muzikor. Ti si i bën analizat e tua?
Unë mendoj që regullat e lojës në tregun muzikor kanë ndryshuar prej kohësh, por unë e kam kuptuar pak me vonesë.Kam kuptuar që duhet të jesh më prezent në treg. Ne nuk është se nuk krijojmë, por më parë kishim idenë se nuk duhet të bëhen më shumë se dy projekte në vit sepse do dhe ajo kohën e vet. Sigurisht dhe eksperimentimi është çelësi. Nëse ti eksperimenton nuk do të thotë të tradhtosh veten, por që arti yt të jetë në qëndër të vëmendjes. Unë mendoj që kam aq njohuri sa të kuptoj ku mbaron ana profesionale dhe ku fillon banalitetit. Unë jam marrë 1 muaj për të gjetur disa tinguj për këtë këngë.
Ndërkohë sonte në mbrëmje ty të gjejmë tek sheshi “Skënderbej”. Që sheshi do të ndizet e do të jehojë nga zëri yt për këtë nuk kemi dyshime… Çfarë e pret tjetër publikun, një pjesë e të cilit edhe po të ndjek tani?
Sot në orën 19:00 i pres të gjithë për një natë shumë fantastike. Do të ketë dhe këngët e albumit. Do të jetë Vin Veli, Kristi Karkanaqe me grupin e tij, grupi Kanun… Pastaj performanca ime do të zgjasë rreth 1 orë në fund. Do të jenë të ftuar Redon Makashi dhe Eugent Bushpepa që do të performojmë së bashku “Thyej qafën” nga albumi i ri.
Nëse edhe juve ju pëlqen “Nuk të dua”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë në klasifikimin e “The Top List”.