Humbja e kilogramëve të tepërt dhe ruajtja e një peshe të shëndetshme trupore është padyshim një e mirë e jashtëzakonshme që mund t’i bëni organizmit.
Këto hapa konsiderohen të rëndësishëm në çdo moshë, por pas të pesëdhjetave ato janë të domosdoshme.
Përse Rënia Nga Pesha Është e Rëndësishme Pas të 50-ve
Pas këtij përvjetori të rëndësishëm, trupi një njeriu e ka më të lehtë të shtojë në peshë për shkak të ndryshimeve të metabolizmit dhe ato hormonale. Shtimi në peshë pas të pesëdhjetave është i rrezikshëm sepse shton premisat e sëmundjeve si diabeti apo ishemia. Më poshtë do të mësoni katër përfitimet kryesore që vijnë nga rënia nga pesha pas kësaj moshe.
Rrezik i Ulur i Shfaqjes së Demencias
Mbipesha në të pesëdhjetat shoqërohet me një rrezik të rritur për shfaqjen e demencias. Këtë e thotë një studim i publikuar në revistën mjekësore Alzheimer’s & Dementia që çuditërisht nxjerr në pah se kjo gjë nuk ndodh në të gjashtëdhjetat apo shtatëdhjetat. Shkencëtarët nuk e shpjegojnë dot saktësisht përse ndodh megjithatë ata hamendësojnë se kjo ka të bëjë me mikrobiomën, ekuilibrat e së cilës luhaten fort me kalimin e moshës.
Simptoma Më Të Buta Të Menopauzës
Afshet e nxehtësisë që asociohen me menopauzën janë të përhapura tek gratë mbi moshën 50 vjeç. Sa më mbipeshë të jenë gratë në menopauzë aq më shumë afshe të tilla janë të pritshme. Në fakt, studimet thonë se sa më mbipeshë të jetë një grua, aq më të ashpra do të jenë simptomat e përgjithshme të menopauzës.
Më Pak Dhimbje Kyçesh
Rënia nga pesha e tepërt është e domosdoshme edhe kundër osteoartritit, sëmundje shumë e përhapur në këtë moshë që shkakton enjtje, dhimbje dhe ngurtësim të kyçeve. Rënia nga pesha i zbut simptomat dhe lehtëson lëvizshmërinë e cunguar si pasojë e këtyre problemeve.
Më Pak Rrezik Për Kancer
Gratë mbi të pesëdhjetat janë më të rrezikuara nga kanceri që nxitet nga ndryshimet hormonale. Nga ana tjetër, sa më shumë depozita dhjamore të ketë një grua në këtë moshë, aq më të larta janë gjasat e shfaqjes së kancerit te gjirit. Është shumë e rëndësishme për një grua që të humbasë peshë pas të pesëdhjetave pë të ulur rreziqe të tilla.