Bota Tech

Rënia e internetit, ja aeroportet që pezulluan fluturimet!

Shumica e aeroporteve pezullojnë fluturimet, pas ndërprerjes globale të internetit, më e rënda e regjistruar ndonjëherë në histori.

Linja ajrore holandeze KLM tha se një ndërprerje globale e ka bërë “të pamundur trajtimin e fluturimeve” dhe po pezullon kryesisht operacionet e saj. Linjat ajrore dhe aeroportet anembanë globit janë prekur nga problemet IT.

KLM, linjat ajrore dhe aeroportet e tjera janë prekur nga një ndërprerje globale interneti, duke e bërë të pamundur trajtimin e fluturimeve. Ne e kuptojmë se kjo është shumë e papërshtatshme për klientët dhe stafin tonë, veçanërisht në mes të sezonit të pushimeve verore. Ne po punojmë shumë për të zgjidhur problemin. Deri atëherë, ne do të duhet të pezullojmë kryesisht operacionet.

“Turkish Airlines” thotë se është ndër kompanitë globale që përballen me ndërprerje në operacionet e fluturimit për shkak të një ndërprerjeje globale IT.

Aktualisht po përjetojmë probleme me proceset e biletave, check-in dhe rezervimet.  Lidhjet globale mund të preken, gjithashtu për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore në disa vende. Qeveria pret që ndërprerjet e sistemit të brendshëm të përfundojnë brenda pak orësh.

Kështu iu tha gazetarëve ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloglu, në provincën perëndimore të Tekirdagut duke hedhur poshtë çdo pretendim për “sulm kibernetik”. Ndërkohë, huadhënësi privat me bazë në Turqi, Denizbank raportoi gjithashtu ndërprerje në operacione, duke shtuar se po punon për të “vënë në shërbim të gjitha kanalet, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në Shtetet e Bashkuara, Administrata Federale e Aviacionit ka ndaluar fluturimet nga linjat ajrore kryesore “United”, “American” dhe “Delta”.

Aeroportet gjermane në Berlin, Hamburg, Shtutgart, Këln-Bon e Nuremberg po raportonin shkallë të ndryshme të ndërprerjeve të shërbimit.

“Eurowings” paralajmëron ndërprerjen e proceseve të kontrollit e imbarkimit për shkak të një ndërprerjeje globale IT.

Linja ajrore buxhetore gjermane tha se klientët duhet të presin vonesa dhe anulime sot.

Proceset check-in e të imbarkimit në filialin e Lufthansës janë aktualisht të dëmtuara. Disa aeroporte gjermane kanë raportuar ndërprerje të shërbimit, përfshirë Berlinin, Hamburgun e Shtutgartin.

Asnjë avion nuk po ngrihet apo ulet në aeroportin e Berlinit, ndërsa disa nisje u prekën nga ndërprerja e internetit edhe në Hamburg.

Dështime të ngjashme u raportuan në të gjithë botën, duke prekur linjat ajrore dhe aeroportet, mediat, bankat e kompanitë e telekomunikacionit në vende si Spanja, Australi, Indi e Britani.

Linja ajrore buxhetore europiane “Ryanair” tha se i ka ndërprerë gjithashtu operacionet e saj. Një zëdhënëse e Aeroportit të Brandenburgut të Berlinit u shpreh se “ka vonesa në trajtim për shkak të një defekti teknik” dhe se operacionet e fluturimit do të pezullohen deri në orën 10:00 (08:00 GMT).

Në aeroportin e Hamburgut, katër linja ajrore po vuanin nga dështimet teknologjike: “Eurowings”, “Ryanair”, “Vueling” dhe “Turkish Airlines”. Linjat ajrore po lëshonin bileta manualisht.