Referuar informacioneve jo zyrtare, të paktën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike dhe rrëshqitjeve të dheut në Bosnjë e Hercegovinë. Të paktën 17 persona kanë humbur jetën në Jabllanicë ku mediat kanë raportuar se ka vdekur edhe një grua shtatzënë.
Sipas informacioneve të fundit, tre persona kanë gjetur vdekjen në Fojnicë, ndërkohë më herët u njoftua se në një shtëpi në Fojnicë humbi jetën edhe një grua e moshuar. Po ashtu edhe në Gojevicë afër Fojnicës, gjatë ditës së djeshme është nxjerrë trupi i një burri nga një prej makinave të përmbytura.
Reshjet e shiut në zonën e komunave Jabllanicë, Konjic, Kisjelljak, Fojnicë dhe Kreshevë kanë shkaktuar probleme të mëdha për banorët.
Për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut, një popullsi e madhe është në rrezik, me informacione se ka viktima dhe një numër i madh i të plagosurve dhe të zhdukurve, njoftoi Administrata Federale e Mbrojtjes Civile.
Numri i viktimave mund të jetë më i lartë se sipas zyrtarëve, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende për disa dhjetëra njerëz në Hercegovinën veriore, por edhe në Bosnjën qendrore.
Po ashtu, për shkak të vërshimeve, u shty mbajtja e zgjedhjeve lokale në Jabllanicë, Konjiç, Kishelak e Kreshevo. Kështu vendosi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës. Në Fojnica, votimet janë shtyrë në tri qendra.
Mësohet se vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, siç deklaruan autoritetet. Zgjedhjet lokale në Bosnjë janë caktuar për nesër, më 6 tetor. Përveç Bosnjës, përmbytjet nga moti i keq nuk kanë kursyer as vendin tonë, Malin e Zi dhe Kroacinë.