Food & Drink Health & Beauty

Rëndësia e kujdesit të shëndetit gastrointestinal? Hyrida Basha: “Ky është një cikël i frikshëm…”

E ftuar në “Live from Tirana” ishte nutricionistja Hyrida Basha për të folur rreth rëndësisë së kujdesit vetjak dhe ushqyerjes së shëndetshme. Këtë herë, Hyrida kishte shumë për të thënë rreth zorrës së trashë dhe të hollë, organe që njerëzit nuk ia dinë rëndësinë e vërtetë. Ajo kishte këtë për të thënë rreth rëndësisë së tyre:

Zorra është konsideruar shumë herë si truri i dytë. Ajo prodhon neurone, prodhon sistemin imunitar, serotoninën, zorra është promotore e së gjithës dhe mbi të gjitha, është një mburojë. Nëse sillemi mirë me atë, që do të thotë se të hamë ushqimet e duhura, të mos abuzojmë me veten, të mos pimë pije alkoolike ose duhan dhe të jemi fizikisht aktivë, atëherë kjo do të ndikojë në të gjitha proceset që zorra merr pjesë, si për shembull përcjellja e toksinave të trupit.

Agjentët e padukshëm të trupit tonë janë kryesorë për shëndetin dhe shumë ndodhen në zorrë. Hyrida vijon:

Raporti qeliza-mikrob është shumë i rëndësishëm. Afërsisht ato janë 10 me 1, pra 10 mikrobe për 1 qelizë. Ne bashkëjetojmë me këto mikrobe, qoftë ato viruse ose baktere, të cilat janë të domosdoshme për mirëqenien tonë.

Hyrida thotë se një dietë e mirëfilltë ka të bëjë me balancimin e këtyre organizmave në trupin tonë.

Si dhe ne, ato duan të ushqehen dhe është pikërisht kjo arsyeja që njerëzit duhet të mbajnë një dietë pak a shumë të qëndrueshme për të promovuar shëndetin e mirë. Ushqimi i parapëlqyer i tyre janë fibrat, kështu që perimet dhe frutat janë të pazëvendësueshme në çfarëdolloj diete. Gjithashtu, duhet të keni kujdes, sepse sëmundje të rënda dhe të mëdha si diabeti, kancerat e llojeve të ndryshëm varen shumë nga ushqimet që ti ha. Zorra komunikon me të gjithë trupin, ashtu si bën dhe truri. Një zorrë me organizma të kequshqyer do të ketë përgjigje të dobëta imunitare.

Së fundmi, ajo kishte një këshillë për të gjithë:

Shumë shpesh njerëzit dëgjojnë këshilla dhe megjithëse e dinë se ke të drejtë, nuk i japin rëndësi. Atë çka ata duhet të dinë është se ky është një cikël i frikshëm. Një stil jetese i dobët plot me letargji, pamundësi të aktivitetit fizik dhe abuzimin me alkoolin dhe duhanin çon në një trup të dobët, i cili nuk është në gjendje të luftojë sëmundjet në kapacitetin e tij të plotë. Është e rëndësishme që ta duash veten dhe të dish çfarë po ha.