Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Kujtojmë se ky regjistrimi filloi nga data 5 prill, ndërsa është planifikuar të përfundojë ditën e sotme edhe pse nga disa komuna të vendit pati kërkesa për shtyrje përtej afatit.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë mbi 1 milion e 420 mijë banorë të regjistruar deri tani. Po ashtu, mësohet se rezultatet e para të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë dhe teksa nuk munguan kërkesat prej disa komunave që data 17 maj të shtyhet, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati pati thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës do të shikohet nëse ka apo jo baza ligjore që të mund të miratohet.
Kastrati nuk e përjashtoi mundësinë që meqë një pjesë e madhe e regjistruesve ka përfunduar me regjistrimin e popullatës në zona të caktuara, të mund t’i shkojnë në ndihmë komunave të tjera, në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.
Po ashtu, sqaroi se në disa komuna, të tilla si Prizreni apo dhe Prishtina, janë hapur zyra, enkas për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen. Tashmë duhet që të shkojnë në to. Sa i përket pjesës veriore të Kosovës me shumicë serbe, ai ka theksuar se ndonëse pati hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.
Kujtojmë se gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe të Kosovës.
Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 e deri në 2 mijë euro për person.