Prej vitesh, shifra e pasaktë e popullsisë në regjistrat zyrtare në krahasim me popullsinë banuese në vend është bërë shkak për shpërndarje të padrejta të burimeve financiare nga qeveria, teksa shihet se ka ulur eficencën e rimbursimit të medikamenteve për personat nevojë.
Së fundmi, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi rezultatet e një auditimi në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në të cilat gjeti se numri i personave të regjistruar në sistem është 4,301,225 persona (pacientë të regjistruar), ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, popullsia mesatare për vitin 2022 është 2,777,689 banorë. Me të dhënat e censit 2023, popullsia banuese në vend nuk është më shumë se 2,4 milion banorë.
Në regjistrat e Fondit që mund të përfitojë nga rimbursimi, popullsia është gati dyfishi i asaj banuese. Regjistri i FSDKSH-së ka filluar të popullohet që në vitin 2009-2010 kur ky sistem nisi funksionalitetin dhe përfshin fusha si numri i identifikimit (NID), emri, atësia, mbiemri, datëlindja, gjinia, mjeku, QSH e kod pacienti.
Nga viti 2010 e deri më 2014-ën, të dhënat e personave janë përpunuar manualisht nga mjeku i familjes. Prej vitit 2015, për të gjithë personat që regjistrohen për herë të parë te mjeku i familjes, të dhënat merren në mënyrë automatike nga ndërveprimi me regjistrin e gjendjes civile DPGJC. Sistemi funksionon online dhe hedhja e të dhënave realizohet nga mjeku i familjes e pediatri, të cilët bëjnë regjistrimin e popullsisë që mbulojnë. Aktualisht ky sistem monitorohet në data-center-in qeveritar pranë AKSHI-t.
KLSH-ja vë në dukje se sistemi i regjistrit të të siguruarve është aktualisht sistemi bazë i të gjithë sistemit shëndetësor parësor në vend. Mbi këtë sistem, mbështeten dhe ndërveprojnë sistemi kombëtar i recetës elektronike me rimbursim (e-Rx), i cili operon si në sistemin shëndetësor parësor dhe në atë spitalor; sistemi kombëtar i referimeve dhe ekzaminimeve (eReferimi), që gjithashtu operon në sistemin shëndetësor parësor e në atë spitalor; regjistri elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes (eVizita), i cili operon në sistemin shëndetësor.
KLSH-ja referoi se sistemi shfaq një sërë problematikash, të cilat vështirësojnë ndjeshëm punën e përdoruesve me sistemin duke ulur performancën e tyre në punë e si rrjedhojë edhe nivelin e shërbimit ndaj pacientit. Gjithashtu, këto probleme riskojnë saktësinë dhe përmbajtjen e informacionit që regjistron e mban sistemi, aksesueshmërinë e tij e për rrjedhojë, përdorueshmërinë e informacionit nga strukturat shëndetësore.
Më konkretisht, nga sistemi AHIS (Regjistri Elektronik i të Siguruarve), nga merr të dhënat në lidhje me përfitueshmërinë ose jo të rimbursimit sipas kategorisë së përfituesit, konstatohet një numër i madh përfituesish, si dhe nuk është realizuar integrimi i plotë i tij me regjistrin e gjendjes civile.
Nga pikëpamja e sistemeve të kontrollit, kjo praktikë krijon mundësinë e përvetësimit të përfitimit të rimbursimit të pacientëve që mund të kenë ndërruar jetë, në rastet e bashkëpunimit ndërmjet farmacisë dhe MPF.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e pati të pamundur të verifikojë abuzimet me regjistrin e pasaktë të popullsisë pasi nga ana e FSDKSH-së si administratore de jure dhe AKSHI-t si administrator de facto i sistemeve, nuk u vendosën në dispozicion të grupit të auditimit, raportet e kërkuara sipas kod pacientit dhe ID. Kjo me argumentin se janë të dhëna personale.
Nga testimi i të dhënave në dispozicion, KLSH-ja verifikoi se sistemi nuk ruan historik për lëvizjen e mjekëve nga një qendër në tjetrën, lëvizjen e banorëve, mbulimin e popullatës nga mjekët dhe për kartat e shëndetit.
Sistemi nuk gjeneron raporte e nuk të jep mundësinë për gjenerimin e statistikave për mbulimin e banorëve, kartat e shëndetit, etj. Sipas KLSH-së, sistemi nuk jep mundësi për pastrimin apo saktësimin e të dhënave të banorëve të regjistruar gabim nga mjekët e familjes. Sa herë që çelet apo ndryshon një përdorues duhet të ndërhyhet në data-bazë për sistemimin e tij, pasi përdoruesit nuk i shtohen automatikisht të gjitha funksionalitetet./Monitor