Në puntatën e sotme të “At The Movies”, ishte i ftuar regjisori shqiptar Jonid Jorgji. Së fundmi ai ka bërë publik projektin e tij më të ri, filmin e titulluar “Dy Luanë drejt Venecias”!
Prodhimi i zhanerit dramë, komedi do të shfaqet nga data 8 Qershor, për publikun e Tiranës në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, me aktorë si Kastriot Caushi, Vasjan Lami Marjana Kondi etj.
Ky produksion i veçantë bashkëprodhim i 5 produksioneve ndërkombëtare (shqiptar, italian, çek, anglez dhe grek), përmban nuanca inteligjente humori dhe elementë artistik të veçantë që nuk i kishim hasur më parë, për nga cilësia e imazhit, loja e aktorëve.
Filmi flet për aventurën e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias, ku takojnë papritur në udhëtimin e tyre dy aktore italiane të filmave për të rritur. Këtu nisin të papriturat, njihen me dashuri të reja, njerëz të rinj, botëkuptime të ndryshme, ambiente të reja dhe gjithashtu me anë të reja të pazbuluara të vetes dhe familjarëve të tyre.
Aty ndodhin shumë episode njëherësh; ku qeshim, por edhe qajmë, ku tensionohemi, por edhe çlirohemi. Përjetojmë shumë emocione njëherësh dhe kur zgjohemi, ëndrra zhduket nga memoria, por pa e kuptuar e gjithë dita merr trajtën e kësaj ëndrre.
Gjithashtu, regjisori Jorgji tha se për shkak të pandemisë por edhe buxhetit shume skena që supozohen të jenë të xhiruara në Itali, janë xhiruar në rrethinat e Tiranës dhe madje as nuk vërehet fare ndryshimi! Kështu që filmi do të na shërbejë edhe për të zbuluar lokacione të reja në Tiranë dhe jo vetëm!