Film & Tv Gossip

Regjisorëve të njohur iranianë u refuzohet largimi nga vendi?!

Regjisorët e njohur iranianë të filmit, Maryam Moghaddam dhe Behtash Sanaeeha njoftuan se ata janë penguar përsëri të largohen nga vendi. “Pasaportat tona u konfiskuan dje në aeroportin e Teheranit dhe na thanë se nuk mund të largoheshim më nga vendi”-postuan ata.

Pasi u sekuestruan për një kohë të gjatë, pasaportat e tyre iu kthyen dyshes regjisoriale një javë më parë. Moghaddam dhe Sanaeeha kritikuan së fundmi presidentin e sapozgjedhur Masoud Pezeshkian.

“Nuk mund ta çosh një shoqëri drejt rritjes dhe reformës me anë të mashtrimit”-thanë ata. Regjisorët kishin paraqitur “Keyke mahboobe man” (”Torta ime e preferuar”) për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Berlinit të këtij viti, por nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në shfaqje.

Ndërsa ata nuk morën asnjë çmim, filmi, i cili tregon historinë e një vejushe 70-vjeçare që gjeti dashurinë pas vdekjes së bashkëshortit të saj, u prit mjaft mirë nga publiku. Ata filluan xhirimet e filmit përpara valës së protestave, të udhëhequra nga gratë iraniane, që shpërthyen në të gjithë vendin në vjeshtën e vitit 2022.

Ndalimi nga policia morale e Iranit dhe vdekja e mëpasshme në spital e gruas kurde, Mahsa Amini u pasua nga protestat më serioze që nga themelimi i Republikës Islamike, në 1979. Sipas dy regjisorëve, xhirimet u kryen në fshehtësi për aq sa ishte e mundur, ndërsa demonstratat në rrugë vazhdonin.

Autoritetet iraniane kanë mbajtur një vëzhgim të ngushtë në botën artistike të vendit që nga revolucioni, me kineastët që duhet të aplikojnë për leje për të xhiruar dhe shfaqur prodhimet e tyre.