Ndryshim rrënjësor i procesit të dhënies së plazheve te privati. Reforma u njoftua nga kryeministri Edi Rama. Vëmendja do të jetë te lirimi i hapësirave për plazhe publike apo plazhe që do të menaxhohen nga bashkitë duke ofruar shërbime kundrejt çmimeve të përballueshme për qytetarët. Në hapësirën e plazheve që do të marrin, bashkitë duhet të vendosin shezllone e çadra me një çmim tavan të detyrueshëm.
Do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira e të vendosin çadra. Aty ku është e arsyeshme, shezllonë, por me çmim tavan të detyruar. E kemi filluar prej disa vitesh. Këtë vit e shtymë më përpara që bashkitë ta administrojnë. Lezha është model.
Të gjitha nivelet e popullsive duhet të kenë korsinë e tyre por nuk mund të shkohet në ekstrem, as në njërën as në tjetrën. Nuk mund t’i mbyllim derën e turistëve me çantë në krah por të kombinojmë shumë gjëra.
Teksa foli për masat që do të merren për sezonin e ardhshëm veror, Rama theksoi se përveç hoteleve, nuk mund të jepen më leje plazhesh për beach bar-et apo restorantet. Edhe hotelet do të marrin aq shezllonë sa kanë kapacitet në hotelet e tyre.
Përveçse se ata kanë hotele, nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllonë. Mund të vësh beach bar, por nuk ke shezllonë. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllon. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri-tjetrin është i pamundur.
Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma e të vësh 200 shezllonë dhe të marrësh popull aty e t’i detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllonë për aq sa ke kapacitet! Natyrisht, jo një për dhomë e do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon.
Nuk mund t’i çosh shezllonët deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose t’i bien me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh. Kështu do të krijojmë një fashë, atë që kemi thënë, të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa.
Kryeministri preku dhe problematikën e mungesës së fuqisë punëtore sidomos në Hoteleri-Turizëm ku tha se “bizneset duhet të rishikojnë pagat”.
Kur nuk ka njerëz, ti duhet të ngresh rrogën se nuk ke ku shkon. Do t’i konsiderosh ata njerëz që punojnë për ty, gjënë më të çmuar që ke. Këtë vit kam dëgjuar nga disa që kanë marrë njerëz që janë kthyer nga Greqia e më thonë që kemi interesim nga ata që janë në Greqi. Nuk ka më asnjë krahasim, të punosh kamerier në Greqi dhe Shqipëri. Ke më shumë përfitime në Shqipëri.