Aktualitet Politikë

Reforma Zgjedhore, PS-PD drejt një produkti konkret!

Në një konferencë me gazetarë, sot në përfundim të këtij sesioni parlamentar, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi se këto ditë, Grupi i Dialogut do të ketë një produkt konkret sa i përket Reformës Zgjedhore.

Deri tani, Grupi i Dialogut ka funksionuar e ndoshta po vazhdon edhe në këto momente të fundit të mbylljes së sesionit, më së shumti për rishikimin e Kodit Zgjedhor, me synim adresimin e boshllëqeve që krijoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese me shfuqizimin e disa dispozitave që lidhen pikërisht me formulën e llogaritjes së mandateve duke e konsideruar si një formulë që nuk e kënaq atë kërkesë që ka Kushtetuta. Besoj se në këto orë e këto ditë në vazhdim do të kemi një produkt më konkret.

Ndër të tjera, Çuçi u pyet në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka e tha se Kushtetuesja ka tentuar që të krijojë një normë të re kushtetuese, në një kohë që sipas tij, “nuk e lejon vetë Kushtetuta”.

Në mënyrë absolute, Kushtetuta njeh pavarësinë e deputetit për të votuar në një formë që ai e gjykon. Deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij. I vetmi moment kur Kushtetuta e detyron parlamentin të votojë në një mënyrë të caktuar është kur i jepet e drejta opozitës kur ngrihen komisionet hetimore.

Në asnjë rast, nuk mund t’i imponosh deputetit mënyrën si duhet të votojë. Ne kemi vendosur ta zgjidhim këtë ngërç, t’i kërkojmë opinion Komisionit të Venecias. Janë 140 deputetë të pavarur në vullnetin e tyre për të votuar. Vetë GJK-ja me 9 anëtarë ka tre mendime të ndryshme. Si mund të imponohet një parlament që të votojë në një formë të caktuar nga një institucion që nuk është brenda Kuvendit? Ne do t’i kërkojmë opinion Komisionit të Venecias.

Përgjigjja ime është kjo: ne duhet të marrim një opinion pasi ka konflikt kushtetues në këtë pikë. Mua, Kushtetuta më thotë se jam i pavarur me votën time.

Çështja e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka është në Kuvend prej më shumë se dy vitesh, që prej qershorit 2022. Kjo për shkak se bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik në bregdet”.  Opozita kërkoi shqyrtim në Kushtetuese ndërsa Xhaçka i ka kundërshtuar pretendimet se ka qenë në konflikt interesi.