Aktualitet Bota

‘Receta’ e Mario Draghit për BE: Investimet të rriten me 800 mld euro!

Ish-kryeministri italian kërkon një “strategji të re industriale”.  Mario Draghi ka kërkuar një “strategji të re industriale për Europën”, duke i bërë thirrje Bashkimit Europian të rrisë investimet me 800 miliardë euro në vit, për të financuar reforma rrënjësore dhe të shpejta, për të nxitur Europën që të mos mbetet pas SHBA-së dhe Kinës.

Përveç mbështetjes së një rishikimi të përgjithshëm të mënyrës sesi BE-ja rrit fondet e investimeve, duke përfshirë “financimin e ri të përbashkët dhe asetet e përbashkëta”, raporti i shumëpritur i ish-kryeministrit italian, i porositur nga BE-ja, i bën thirrje Brukselit, që të çojë përpara një riorientim të rëndësishëm të politikës ekonomike.

Rekomandimet kryesore përfshijnë lehtësimin e rregullave të konkurrencës, për të mundësuar konsolidimin e tregut në sektorë të tillë si telekomunikacioni; integrimi i tregjeve të kapitalit duke centralizuar mbikëqyrjen e tregut; përdorim më i madh i prokurimit të përbashkët në sektorin e mbrojtjes; dhe një agjendë të re tregtare për të rritur pavarësinë ekonomike të BE-së.

“Kurrë në të kaluarën, niveli i vendeve tona nuk është dukur kaq i vogël dhe i pamjaftueshëm në raport me madhësinë e sfidave”, shkroi Draghi në raportin për presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. “Arsyet për një përgjigje të unifikuar nuk kanë qenë kurrë kaq bindëse – dhe në unitetin tonë ne do të gjejmë forcën për të reformuar.”

Draghi tha:

“Ne kemi arritur në pikën ku, pa veprim, do të duhet të komprometojmë mirëqenien, mjedisin ose lirinë tonë.” Raporti vjen ndërsa komisioni përgatitet për një mandat të ri pesë-vjeçar, të shënuar nga stanjacioni ekonomik, një luftë në shkallë të gjerë në kufirin e tij dhe ngritjen e partive të ekstremit të djathtë në të gjithë bllokun. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, i njohur për kursimin e euros gjatë krizës së monedhës më shumë se një dekadë më parë, paralajmëroi se pa një rritje të investimeve të reja – të mbështetura nga financimi privat dhe publik – dhe përmirësimit të produktivitetit.

Draghi tha se adresimi i vonesës së konkurrencës së BE-së, do të kërkonte 750-800 miliardë euro investime vjetore shtesë, ekuivalente me 4.4-4.7 % të PBB-së së BE-së. Kjo do të sillte investimet në produktin e brendshëm bruto në një nivel të paparë, që nga vitet 1970. Ai përsëriti thirrjet për një aset të përbashkët të sigurt dhe financim të përbashkët të BE-së, për të mbështetur “të mirat publike europiane”, si infrastruktura e përbashkët energjetike dhe prokurimet e përbashkëta të mbrojtjes, ndërsa pranoi se vullneti politik nuk është ende i pranishëm, si dhe taksa të reja në nivel të BE-së për të financuar shpenzime më efektive përmes buxhetit të përbashkët.

Por, çdo nxitje për të kontribuar më shumë para nga taksapaguesit, ose për të rritur borxhin e ri të përbashkët të BE-së, do të nxiste rezistencë nga qeveritë më të kursyera, në vende si Holanda dhe Gjermania, të cilat kundërshtojnë më shumë financime nga BE. Ndërsa “fondet e përbashkëta do të nevojiten për disa projekte të përbashkëta europiane” si mbrojtja dhe infrastruktura ndërkufitare e energjisë, ajo tha se ato mund të paguhen me kontribute shtesë kombëtare ose taksa në nivel BE-je, që rrjedhin në buxhetin e përbashkët të bllokut, u shpreh Von Der Leyen.

Nëse Europa nuk arrin të rrisë produktivitetin dhe nivelet e rritjes, ajo rrezikon të shohë rënien e standardeve të jetesës, tha Draghi.

“Ne do të duhet të zvogëlojmë disa, ose të gjitha, ambiciet tona,” shtoi ai. “Kjo është një sfidë ekzistenciale.” Sa i përket politikës së konkurrencës, Draghi mbron një ndryshim rrënjësor, të qasjes në vlerësimet e bashkimit të kompanive, në mënyrë që rregullat të mos “bëhen pengesë për qëllimet e Europës”. Në sektorin shumë të fragmentuar të mbrojtjes, Draghi theksoi se “në mungesë të shpenzimeve të përbashkëta europiane”, fokusi duhet të jetë në koordinimin e prokurimeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta të mbrojtjes, si dhe në konsolidimin më të madh të tregut “kur rritja e shkallës do të jepte efikasitet”.

Draghi argumentoi gjithashtu për një rishikim të tregut të energjisë, në mënyrë që çmimi i energjisë së rinovueshme, të mos diktohet më nga kostoja e karburanteve fosile më të shtrenjta. Brukseli propozoi disa reforma në tregun e energjisë elektrike të bllokut, në vazhdën e krizës së tij energjetike të vitit 2022, por ndryshimet në treg kanë qenë të ngadalta.