Bota

Rebelët Huthi godasin me raketë Izraelin/Pritet hakmarrje!

Një raketë që sot u lëshua nga rebelët jemenas, Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, ra në Izraelin qendror duke nxitur lëshimin e sirenave për sulme ajrore në aeroportin ndërkombëtar. Shteti hebraik ka lënë të kuptohet se do të përgjigjet ushtarakisht.

Nuk ka raportime për viktima apo për dëme të mëdha materiale, por mediat izraelite kanë publikuar pamje të njerëzve duke nxituar të shkojnë në një vendstrehim për bomba në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion”. Autoritetet aeroportuale thanë se shumë shpejt rinisën punën.

Ushtria izraelite kishte bërë disa përpjekje për të rrëzuar raketën. Ushtria shtoi se duket se raketa është goditur në ajër, por incidenti ende po hetohet. Vazhdimisht, rebelët Huthi kanë lëshuar dronë e raketa drejt Izraelit që kur më 7 tetor 2023 ka nisur lufta në Gaza mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian. Por, pothuajse të gjitha janë rrëzuar mbi Detin e Kuq.

Në korrik, një dron i prodhimit iranian, i lëshuar nga rebelët Huthi, goditi Tel Avivin duke vrarë një person dhe duke plagosur dhjetë të tjerë. Izraeli u përgjigj me një valë sulmesh ajrore në zonat në Jemen që kontrollohen nga rebelët.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet se shteti i tij do të përgjigjet edhe ndaj sulmit të fundit, teksa mbajti mbledhjen e ekzekutivit që drejton.

Rebelët Huthi duhet ta dinë se çfarë çmimi të lartë do të paguajnë për çdo përpjekje për të na dëmtuar.

Zëdhënësi ushtarak i rebelëve jemenas, Yahya Saree, tha se ata lëshuan një raketë balistike që kishte për shënjestër një “objekt ushtarak” në Jafa, pjesë e Tel Avivit. Hashim Sharaf al-Din, zëdhënës i ushtrisë që udhëhiqet nga rebelët, deklaroi se jemenasit do të festojnë ditëlindjen e Profetit Muhamed ndërsa “izraelitët do të jenë në vendstrehime për bomba”.

Rebelët Huthi vazhdimisht kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza. Shumica e anijeve të shënjestruara prej tyre nuk kanë lidhje me Izraelin. Irani mbështet grupe militante në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë Hamasin, rebelët Huthi dhe Hezbollahun, grupin libanez të shpallur “terrorist” nga SHBA-të.

Ky grup ka shkëmbyer zjarr në kufi me Izraelin pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gaza. Përveç raketës së lëshuar nga rebelët jemenas, ushtria izraelite tha se rreth 40 raketa u hodhën nga Libani mëngjesin e sotëm, por shumica e tyre u penguan.