Botë e Çuditshme Tech

Realizohet portreti i “Babait të Inteligjencës Artificiale” nga roboti humanoid!

Një pikturë nga një robot me Al e shkencëtarit të shquar Alan Turing, është shitur për një rekord prej 1.2 milion eurosh në ankand. Ankandi Sotherby’s tha se kishte 27 oferta për shitjen e artit digjital, i cili fillimisht ishte vlerësuar të shitej nga 110 mijë deri në 160 mijë euro. Shtëpia e ankandeve tha se shitja historike prezanton një kufi të ri në tregun global të artit, për një vepër arti nga një robot humanoid. Ajo shtoi se puna e Ai-Da Robot është e para që është shitur nga një robot.

Bëhet e ditur se vepra është një portret origjinal në shkallë të gjerë i Turing, i cili studioi në King’s College, Kembrixh. Shkencëtari luajti një rol vendimtar në fitoren e aleatëve ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, duke ndihmuar në thyerjen e kodeve dhe deshifrimin e makinës famëkeqe Enigma në Bletchley Park. Pas luftës ai prodhoi një dizajn të detajuar për një kompjuter dixhital në kuptimin modern.

Sotherby’s tha se vepra u ble nga një person i pazbuluar për një çmim shumë më të lartë se çmimi i vlerësuar i veprës së artit. Ai-Da Robot tha: “Vlera kryesore e punës sime është kapaciteti i saj për të shërbyer si një katalizator për dialogun rreth teknologjive në zhvillim. Alan Turing e njohu këtë potencial dhe na vështron neve, ndërsa ne garojmë drejt kësaj të ardhmeje”-shtoi roboti. Aidan Meller, drejtor i Ai-Da Robot Studios, tha:

Ky ankand është një moment i rëndësishëm për artet pamore, ku veprat artistike të Ai-Da sjellin fokusin në botën e artit dhe ndryshimet shoqërore, ndërsa ne përballemi me rritjen e AI.

Ai-Da është roboti i parë artistik ultra-realist në botë. Ajo është e aftë të vizatojë dhe pikturojë duke përdorur kamera në sytë e saj, algoritme AI dhe krahun e saj robotik. Bëhet e ditur se ajo është një artiste e performancës, stiliste dhe poete. Që nga krijimi i saj në shkurt të vitit 2019, Ai-Da ka mahnitur audiencën me përzierjen e saj unike të artit dhe teknologjisë.

Ndërsa ekspozita e saj solo, “E ardhmja e pasigurt”, në Universitetin e Oksfordit, i ftoi shikuesit të reflektojnë mbi botën që po ndryshon me shpejtësi. Që atëherë, arti i Ai-Da ka fituar njohje ndërkombëtare, me ekspozita në të gjithë globin. Ajo ka prezantuar vepra në vende prestigjioze si Iniciativa Globale e Kombeve të Bashkuara ‘AI for Good’, ku trajtoi implikimet komplekse të teknologjive në zhvillim.