Celebrities Gossip Showbiz

Reagon vajza e Musk pas fitores së Trump: “Nuk e shoh të ardhmen…”

Vivian Jenna Wilson, vajza transgjinore e miliarderit Elon Musk, ka njoftuar se po mendon të largohet nga Shtetet e Bashkuara pas rizgjedhjes së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Në një postim në platformën “Threads”, 20-vjeçarja shprehu shqetësimin e saj për klimën politike të krijuar në SHBA, duke kritikuar tensionet në rritje ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe duke thënë se nuk e sheh të ardhmen e saj më në këtë vend.

Vivian kishte ndërprerë marrëdhëniet me babanë e saj në vitin 2022, pas ndryshimit të emrit dhe gjinisë, dhe prej asaj kohe, marrëdhënia e tyre ka kaluar në një krizë të thellë, e pasqyruar edhe në rrjetet sociale me akuza të ndërsjella. Musk, mbështetës i njohur i Trump, ka deklaruar se ndarja e tij me Vivian është pasojë e ndikimit të ideologjive të “neo-marksistëve” në shkollat e elitave, të cilat, sipas tij, e transformuan të bijën në një “komuniste radikale”.

Nga ana e saj, Vivian ka kundërshtuar akuzat e babait, duke e quajtur atë “të ftohtë” dhe “mizor” dhe duke hedhur poshtë pretendimet e Musk se ai ishte “mashtruar” për ndryshimin e gjinisë së saj.
Ajo ka ndarë episode nga fëmijëria e saj, ku thotë se është trajtuar ashpër për mënyrën e saj të të sjellurit dhe ka theksuar se Musk ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm për vendimet e saj mjekësore.