Pasi parlamenti bullgar, sot i dha dritën jeshile propozimit francez që mes Shkupit e Sofjes, zgjidh grindjet për çështje të karakterit historik, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se “qëndrimet e tyre janë dërguar në presidencën franceze”.
Në të ardhmen duhet parë se çfarë zgjidhje do të vijë nga Franca. Qëndrimi jonë është i qartë, çështja e gjuhës dhe ato historike, të mos jenë pjesë e kornizës së negociatave.
Me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim, ligjvënësit bullgarë votuan që të heqin veton ndaj Shkupit, sipas kushteve të propozimit të presidencës franceze. Votimi u krye pas një debati 5-orësh mbi rezolutën, sipas së cilës “Bullgaria pranon të heqë veton e saj mbi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Shkupin, bazuar në një propozim të presidencës franceze të Këshillit të Unionit”.
Projektvendimi parasheh që Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. Kjo në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të Këshillit, për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut e “ku përmenden popujt e tjerë dhe në kushte të barabarta me këta popuj”.
Për shkak të vetos bullgare, Maqedonisë së Veriut e bashkë me të Shqipërisë, deri tani nuk i janë hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Në Bruksel ka një qëndrim për të mos i ndarë Shkupin e Tiranën.
Presidenti Meta dhe kryeministri Rama reaguan menjëherë pas votimit në Parlamentin e Bullgarisë, duke e konsideruar “lajm të madh” heqjen e vetos, ndërsa nga Bashkimi Europian kërkojnë të veprojë më me shpejtësi.
Shefi i qeverisë u shpreh:
Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt!
Kreu i shtetit deklaroi:
Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende.
Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka komentuar vendimin e Bullgarisë për të miratuar propozimin e Macron për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Mirëpresim vendimin ndërpartiak të Parlamentit bullgar që jep mandat të qartë për miratimin e propozimit francez. Tani na duhet vendimi i BE-së për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Europa ec përpara!