Bota

Reagime mbi urdhrin izraelit për mbylljen e Al Jazeera-s!

Sindikata e Gazetarëve Palestinezë dënoi bastisjen dhe urdhrin izraelit për mbylljen brenda 45 ditëve të Al Jazeera-s në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ky vendim ushtarak arbitrar është një agresion i ri ndaj punës gazetareske dhe mediave.

Autoriteti Palestinez administron pjesë të Bregut Perëndimor. Forcat e tij u dëbuan nga Gaza kur Hamasi mori pushtetin në vitin 2007. Ndërkaq, ministri i Komunikimeve i Izraelit, Shlomo Karhi e përshkroi bastisjen si një veprim ndaj “zërit të Hamasit dhe Hezbollahut”.

Ne do të vazhdojmë të luftojmë kanalet e armikut dhe të sigurojmë mbrojtjen e luftëtarëve tanë heroikë.

Por, Karhi nuk saktësoi se mbi ç’bazë juridike, Izraeli urdhëroi mbylljen e zyrës. Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork u shpreh “thellësisht i shqetësuar” nga bastisja izraelite.

Gazetarët duhet të mbrohen dhe të lejohen të punojnë lirshëm.

Vazhdimisht Al Jazeera ka raportuar për luftën Izrael-Hamas, që nga sulmi i parë i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Amerika dhe BE-ja. Po ashtu ka mbuluar transmetime 24-orëshe nga Gaza mes ofensivës ajrore e tokësore të Izraelit dhe që ka shkaktuar viktima në radhët e stafit të saj. Mbetet e paqartë nëse ushtria izraelite do të synojë edhe operacionet e Al Jazeera-s në Gaza.

Krahas raportimeve nga terreni për viktimat e luftës, dega arabe e Al Jazeera-s, shpesh publikon video-deklarata nga Hamasi e të tjera grupe militante rajonale.

Kjo ka çuar në akuza nga zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu se rrjeti ka “dëmtuar sigurinë e Izraelit e ka organizuar nxitje kundër ushtarëve”. Akuzat janë mohuar me forcë nga Al Jazeera, e cila kryesisht financohet nga Katari, që ka luajtur rol kyç në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një armëpushimi, për t’i dhënë fund luftës.

Një urdhër për mbylljen e Al Jazeera-s në Izrael është përsëritur vazhdimisht që nga ajo kohë, por ende nuk ishte urdhëruar mbyllja e zyrave në Ramallah.

Në dekada, qeveria izraelite ka marrë masa kundër disa gazetarëve, që nga themelimi i Al Jazeera-s, në vitin 1948, por përgjithësisht lejon një skenë mediatike të larmishme që përfshin zyra të huaja nga e gjithë bota, madje edhe nga vendet arabe. Gjithashtu, në fillim të luftës, bllokoi transmetimet e huaja të kanalit të lajmeve Al Mayadeen, me qendër në Bejrut të Libanit, i lidhur me Hezbollahun.

Kritikat ndaj Al Jazeera-s nuk janë të reja. Qeveria amerikane e veçoi gjatë pushtimit të Irakut nga Amerika më 2003-shin kur u përmbys nga pushteti Saddam Hussein dhe për transmetimin e videove të ish-kreut të al-Kaedës, Osama bin Laden.

Al Jazeera është mbyllur ose bllokuar edhe nga qeveritë e tjera të Lindjes së Mesme. Mbyllja e zyrës së Al Jazeera-s në Ramallah, gjithashtu ndodh ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten për një zgjerim të mundshëm të luftës në Liban, ku pak ditë më parë disa pajisje elektronike shpërthyen duke vrarë 37 vetë e plagosur rreth 3 mijë. Hezbollahu akuzon Izraelin që as e pranon dhe as e mohon përgjegjësinë.