80% e maturantëve që aplikuan për studimet e larta në Shqipëri janë regjistruar si studentë të rinj në universitete për vitin akademik 2024-2025. Mbyllja e raundit të parë të regjistrimeve ka zbuluar se për këtë vit, programet në Informatikë, Mjekësi dhe Inxhinieri janë më të preferuarat nga maturantët. Kuotat për këto degë janë mbushur që në ditët e para të regjistrimeve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, 70% e studentëve të rinj kanë zgjedhur të ndjekin studimet në universitetet publike, ndërsa 30% kanë preferuar institucionet private. Universiteti i Tiranës vijon të mbajë vendin e parë për numrin më të lartë të pranimeve, ndërsa Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” udhëheq në rrethe. Ka pasur gjithashtu një rritje të ndjeshme të regjistrimeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe në programet dy vjeçare, sipas të dhënave nga Rrjeti Akademik Shqiptar.
Në krahasim me vitin e kaluar, degët e mësuesisë kanë mbetur në nivele të ngjashme për sa i përket numrit të aplikantëve dhe pranimeve. Aktualisht, mijëra kandidatë po ndjekin lëvizjet e listës dhe kuotat e mbetura për të pasur mundësinë e regjistrimit në raundin e dytë, i cili do të vazhdojë deri në javën e parë të muajit tetor.