Bota

Rasti pornostar, nuk vihen kufizime për Donald Trump-in/Ish-presidenti: Krimi im i vetëm, mbrojtja e Amerikës!

Në katin e 15-të të Gjykatës Penale të Manhatanit në Nju Jork, Donald Trump u deklarua “i pafajshëm” për 34 akuza, përfshirë konspiracionin. Ish-presidenti amerikan u paraqit dje për seancën paraprake në atë që njihet si gjyqi Stormy Daniels, sipas emrit të aktores së filmave pornografikë, e cila e akuzon se e pagoi për të mos treguar se kanë patur marrëdhënie, çka do t’i dëmtonte kandidaturën në presidencialet e 2016-ës.

Trump bëhet i pari ish-shef i Shtëpisë së Bardhë që vihet nën hetim penal dhe teknikisht i arrestuar, por i liruar pa kufizime. Trump u padit për pagesën e 130 mijë dollarëve nga fondet e fushatës së tij në vitin 2016, për të blerë heshtjen e ish-yllit të filmave pornografikë.

Po ashtu, akuzohet se pagoi një tjetër grua e një portier. Seanca e radhës u caktua për më 4 dhjetor, ndërsa procesi gjyqësor fillon më 2024-ën, vitin kur mbahen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokurori kërkoi mbrojtjen e dëshmitarëve. Ndër akuzat e ngritura kundër ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë është edhe se mori pjesë në një komplot për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016, përfshirë një seri pagesash për të anashkaluar tre “episode të turpshme” para fushatës presidenciale.

Krimi im i vetëm ishte mbrojtja e Amerikës nga ata që duan ta shkatërrojnë. Asgjë nuk u bë ilegalisht. Një ditë e mrekullueshme, hetimi është një farsë.

Këto ishin fjalët e Donald Trump-it në një fjalim 25 minutësh pas kthimit në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridas ku u mblodhën mbështetës të ish-presidentit. I rrethuar nga flamuj amerikan, me pamje që të kujtojnë takimet e fushatës, u shpreh:

Kurrë nuk e kam menduar se një gjë e tillë do të ndodhte në Amerikë.

Pjesën më të madhe të fjalimit 25 minutësh, pas paraqitjes në gjykatë ia kushtoi sulmeve ndaj kundërshtarëve politikë. Po ashtu ngriti zërin kundër hetimeve të tjera që e përfshijnë, nga ndërhyrjet zgjedhore në Xhorxhia më 2020-ën te dokumentet e klasifikuara që verën e kaluar iu gjetën nga FBI-ja në rezidencën e tij në Florida. Analistët e përshkruan fjalimin si “të shkurtër e zhgënjyes”.