Abuzimi seksual ndaj një të miture vetëm 11 vjeç në Kosovë, ka tronditur opinionin publik. Një protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave do të mbahet sot në Prishtinë në orën 12:00.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të protestojë me kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë me qëllim që të kërkohet drejtësi në mënyrë që dhunuesit ta marrin ndëshkimin e merituar. Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Një ditë më parë po ashtu u organizua një protestë në Kosovë, ndërsa për rastin e rëndë dha dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Në solidaritet me Prishtinën, edhe në Shqipëri, shoqëria civile ka paralajmëruar protestë. “Për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna patriarkale”, qytetarët do të mblidhen sot në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 18:30.
11-vjeçarja u përdhunua nga pesë persona teksa kishte dalë në park në një periudhë kohore prej shtatë orësh. Tre prej të dyshuarve janë të mitur dhe dy të tjerë të moshës madhore, në mesin e tyre edhe Ekrem Rexhepi, 27 vjeç që ka të ngritur aktakuzë edhe për veprat penale vjedhje e rëndë, vjedhje e pyllit dhe dhunë në familje. Ndërsa të dyshuarit për përdhunimin e 11-vjeçares janë nën masë të sigurisë, autoritetet japin pak detaje mbi gjendjen e viktimës.