Me COVID-in e shndërruar në virozën kryesore të verës, fëmijët po shfaqin simptoma më të rënda sipas mjekëve. Në Pediatrinë e QSUT-së shprehen se këto ditë janë rritur urgjencat dhe shtrimet në spital.
Nga tamponi rezulton se shumica e urgjencave janë për komplikacionet e koronavirusit.
Shenjat kryesore shfaqen me dhimbje të muskujve, fytit, lodhje ose kollë, por zakonisht nuk ka prekje të mushkërive që të nevojitet trajtimi me antibiotikë.
Foshnjat disamuajshe nuk kanë imunitet dhe duke u përballur për herë të parë me COVID-in, po hasin në pasoja pak më të rënda. Virusi ka përhapje të gjerë teksa tamponimi është shumë i ulët për shkak të simptomave të lehta.
Pothuajse shumica e urgjencave në Pediatri në këto ditë të nxehta vere janë krijuar nga koronavirusi. Pasi të jenë bërë ekzaminimet dhe tamponimi, del se foshnjat ose janë me virus ose post-COVID siç pohojnë burimet në QSUT.
Koronavirusi ka krijuar komplikacione te foshnjat, ku disa janë shtruar në repartet e Reanimacionit. Por, për mjekët, kjo situatë nuk është shqetësuese pasi edhe COVID-19, tashmë është shndërruar në një virozë të thjeshtë dhe kështu do të trajtohet në protokollet mjekësore.
Të gjitha virozat në përgjithësi krijojnë simptoma deri në humbje të jetës në grupet vulnerabël të popullsisë. Sidomos gjatë dimrit, të gjitha virozat janë shkaktari kryesor i humbjes së jetës në personat që kanë sëmundje kronike.
Katër vite pasi u shfaq, bota po përballet me një barrë më të lartë të sëmundjeve. Kjo për shkak të dëmeve që krijoi pandemia. Numri i të sëmurëve kronikë shënoi rritje për shkak të COVID-19.
Një pjesë e madhe e personave të prekur mbeten të sëmurë kronikë. Pacientët që e kanë kaluar rëndë, thonë se nuk ndihen si më parë, gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.
Te shumë vetë, organet jetësore janë dëmtuar rëndë duke shtruar nevojën për trajtim gjithë jetën. Te një pjesë, mushkëria ka pësuar dëmtim të përhershëm ndërsa te të tjerë janë dëmtuar sistemi kardiovaskular, veshkat, kockat e sistemi nervor.
Fibrozat në mushkëri post-COVID, përveçse janë ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te të prekurit. Përgjithësisht, këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë.