Mjekët dermatologë në Shqipëri raportojnë një rritje të ndjeshme të rasteve me zgjebje, duke theksuar se çdo ditë përballen me pacientë të prekur nga ky infeksion. Epidimiologu Ilir Alimehmeti, i ftuar në një studio televizive, siguroi se sëmundja nuk paraqet rrezik për jetën, megjithatë kushtet higjienike dhe ato socio-ekonomike janë tregues të rëndësishëm për përhapjen e saj.
Alimehmeti shpjegoi se, ndonëse zgjebja shkakton shqetësime të mëdha si kruajtje dhe probleme me gjumin, ajo është e trajtueshme. Ai gjithashtu theksoi se stigma shoqërore ndaj kësaj sëmundjeje ndihmon në përkeqësimin e situatës, pasi ndjenjat negative e pengojnë njerëzit të kërkojnë ndihmë. Sipas tij, kushtet higjienike dhe sociale të një vendi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në numrin e rasteve.
Sa më shumë përkeqësohen këto kushte, aq më shumë raste do të hasim
– tha ai. Në nivel global, sipas përllogaritjeve, rreth 200 milion njerëz janë të prekur nga zgjebja, veçanërisht në vende me zhvillim të ulët.
Alimehmeti gjithashtu theksoi rëndësinë e imunitetit natyror, duke vënë në dukje se individët me sistem të fortë imunitar mund të përballen më lehtë me këtë infeksion.
Njerëzit me imunitet të dëmtuar, përfshirë ata që ndjekin terapi që e dobëson atë, mund të kenë një numër shumë më të madh parazitësh në trup
– shpjegoi ai, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes imune për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.