Bota

Raportonte në Rusi, pranga gazetarit amerikan të Wall Street Journal për spiunazh!

Dyshimet për spiunazh, Rusia arreston një gazetar amerikan të Wall Street Journal.  Evan Gershkovich u prangos në qytetin Yekaterinburg, në malet Urale, i akuzuar pa prova se po përpiqej të siguronte informacion të klasifikuar. Që nga koha e Luftës së Ftohtë, Gershkovich është gazetari i parë i një medie amerikane i cili arrestohet me akuzat për spiunazh në Rusi.

32-vjeçari Gershkovich, shtetas amerikan, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh. Ai raporton për Rusinë dhe Ukrainën si korrespondent në zyrën e Moskës të Wall Street Journal. FSB-ja ruse vuri në dukje se nga Ministria e Punëve të Jashtme e Moskës ka patur akreditim për të punuar si gazetar.

Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë e që vijon prej më shumë se një viti, nga 24 shkurti 2022. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në anën e Kievit, duke i akorduar ndihmë të konsiderueshme ushtarake e jo vetëm. Po ashtu kanë ndëshkuar me sanksione ekonominë ruse, në të njëjtën linjë qëndrimi me aleatët perëndimorë.

Shërbimi i Sigurisë së Rusisë, FSB pretendon se Gershkoviç “po vepronte mbi bazën e urdhrave amerikane për të mbledhur informacion lidhur me aktivitetet e njërës prej ndërmarrjeve të kompleksit industrial ushtarak rus në kohën kur një gjë e tillë përbën sekret shtetëror”. Nga ana tjetër, FSB-ja nuk ofroi asnjë fakt për këto pretendime. Madje, nuk e bëri të ditur as se kur ka ndodhur arrestimi.

Raportimi më i fundit nga Moska i gazetarit u transmetua në fillim të kësaj jave dhe kronika trajtonte ngadalësimin e ekonomisë së Rusisë pas sanksioneve të vendosura nga shtetet perëndimore, që nga hyrja e trupave ruse në Ukrainë, vitin e kaluar.