Aktualitet

Raporti nxënës/mësues, arsimi publik ia kalon privatit!

Në këtë vit akademik, për herë të parë, numri i nxënësve për mësues në shkollat publike është më i ulët se në shkollat private. Në vitin akademik aktual 2023-2024 në ciklin fillor, një mësues në shkollat publike kishte mesatarisht 15.1 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 15.2 nxënës, tregojnë të dhënat e INSTAT-it.

Në ciklin 9-vjeçar (klasa e 6-9) një mësues në shkollat shtetërore kishte afërsisht 7.9 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 8 nxënës. Në arsimin e mesëm, raportet janë ende në favor të privatit. Një mësues në shkollat publike ka mesatarisht 11.6 nxënës, ndërsa në privat, 9.1 nxënës.

Raporti nxënës për mësues është përmirësuar ndjeshëm në dekadën e fundit nga rënia e lindjeve, teksa më pas, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve emigrojnë me prindërit. Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se gjatë 2013 – 2023 kishin kërkuar azil në vendet e BE-së mbi 64 mijë persona nën 18 vjeç, norma më e lartë në rang global pas Sirisë, në raport me popullsinë.

Në vitin 2015, një mësues në ciklin 9-vjeçar jepte mësim për mesatarisht 18.3 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2023-2024, një mësues ka mesatarisht 15.1 nxënës.

Pakësimi i nxënësve për mësues do të duhej të përkthehej në arritje më të mira për mësimet, por kjo nuk ka ndodhur. Rezultatet e testit PISA 2022 (vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve që kryhet nga OECD ku vlerësohen arritjet e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim tregoi për rënie dramatike të rezultateve).

Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018-ës dhe 21 pikë më pak se më 2012-ën. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se në vitin 2018 dhe 35 më pak se më 2012-ën. Edhe në shkenca, rënia ishte e ngjashme.

Një nga arsyet që shumë prindër zgjodhën ndër vite arsimin privat për të shkolluar fëmijët ishin klasat e mbingarkuara në sektorin publik. Analizat për arritjet mësimore gjithnjë kanë fajësuar numrin e lartë të nxënësve në klasa për rezultatet e dobëta.

Përvoja po tregon se ulja e numrit të nxënësve në klasa dhe cilësia e arritjeve mësimore po shkojnë në raport të zhdrejtë, kur e kundërta duhet të ndodhte. Mësuesit dhe ekspertë të pyetur nga “Monitor” në një artikull të posaçëm kanë pohuar se dështimi i kurrikulës, përdorimi i teknologjisë pa kriter, pagat e ulëta, rënia e autoritetit të mësuesit, modelet e suksesit të pabazuara në dije janë disa nga arsyet e rënies se rezultateve.

Arsimi ka qenë dhe mbetet baza për prosperitetin e një shoqërie. Shembujt na tregojnë se vendet që janë zhvilluar shumë shpejt (Koreja e Jugut dhe Estonia) kanë kryer një reformë të thellë në arsim, që më pas ka shërbyer për të kaluar ekonominë e vendit në një nivel tjetër.

Kthimi pas i Shqipërisë në arsim paralajmëron rënie në të gjithë sektorët e tjerë, të cilët prej vitesh janë vënë në vështirësi për profesionistë dhe krah pune./Monitor