Nënkryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin, Taulant Balla, njëherësh drejtues i grupit parlamentar socialist, ka përshëndetur miratimin e raportit të PE-së për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si vlerësim ndaj progresit të vendit.
“Me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendet anëtare të BE-së do të dëshmojnë unitetin europian, duke pranuar rëndësinë e implikimeve gjeopolitike dhe përmbushjen e kritereve të zgjerimit. Raporti vlerëson progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE në vitin 2021, eurodeputetët anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj integrimit evropian”, tha Balla.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Balla ngre dhe shqetësimin për “ngecjen” e këtij procesi që thotë se përbën rrezik edhe për vetë Unionin.
“Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin dhe simpatinë e plotë me qytetarët e këtyre vendeve. Ky dështim minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi, sipas raportit. Eurodeputetët theksojnë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian”, shtoi Balla.
Rezoluta e Parlamentit Europian u komentua të enjten dhe nga kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin, Jorida Tabaku, e cila deklaroi se ngecja në proceset integruese për vendin është pasojë e keqqeverisjes dhe jo e vetos bullgare.
Bashkimi Europian çeli në 2020-n negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord njëzëri në mbledhjen online të 24 marsit 2020 që të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një lajm i tillë atëherë u konfirmua edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, fitore e merituar e quan Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, çeljen e bisedimeve me BE-në. “Lajm i mirë në këto kohë të errëta: më në fund drita jeshile në Këshillin e Ministrave të sotëm për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Përëndimor. Urime në Tiranën dhe Shkupin, është e merituar”, shkruan Roth.