Në raportin e fundit të Amnesty International bëhet bilanci i zbatimit të dënimit me vdekje në mbarë botën. Irani zbatoi më shumë dënime me vdekje. Shifrat më të larta mendohet të jenë në Kinë, por të dhënat mungojnë.
60% e dënimeve me vdekje të zbatuara janë për vepra penale që sipas të drejtës ndërkombëtare nuk duhet të pasojnë me dënim me vdekje, mes tyre ka edhe delikte të drogës.
Në Iran ka pasur 246 ekzekutime në vitin 2020, thotë eksperti Meißauer. “Në raportin tonë aktual janë tanimë 853.” Këto janë shifra shumë të larta, thekson eksperti. Politikanja liberale, drejtuesja e komisionit për të drejtat e njeriut, Renata Alt kërkon nga BE që të ushtrojë më shumë presion ndaj regjimit të mullahëve. “Për fat të keq vendet e BE nuk janë të një mendimi, ndryshe BE do t’i kishte vendosur prej kohësh Gardat e Revolucionit në listën e terrorit.”
Arabia Saudite i vetmi vend që praktikon prerjen e kokës me shpatë
Në anën tjetër të Gjirit Persik në Arabinë Saudite, vendin e tretë me numrin më të lartë të ekzekutimeve gjendja është përmirësuar vetëm në vështrim të parë. Vërtet që numri i ekzekutimeve me vdekje është ulur me 12% në 172, por sipas raportit të AI, aty janë marrë “deponime” me forcën e torturës dhe dënimet me vdekje janë dhënë pas proceseve jo të rregullta sipas të drejtës ndërkombëtare. Për shembull rasti i Mohamad al-Ghamdit. Ish mësuesi u dënua me vdekje për shkak se kishte postuar në mediat sociale deklarata kritike për qeverinë. Arabia Saudite është vendi i vetëm në botë që dënimin me vdekje e kryern duke prerë kokën me shpatë.
Me shqetësim AI shikon edhe nga SHBA, ku numri i ekzekutimit të dënimit me vdekje u rrit nga 18 në 24 vetë. Shtetet federale Idaho dhe Tenesi kanë sjellë projekligje që mundësojnë ekzekutimet me komandon e vdekjes. Montana po verifikon zgjerimin e listës për zbatimin e dënimit me vdekje me substanca të reja për injeksionit vdekjeprurëse.
Eksperti i AI për Gjermaninë Meißauer është i mendimit se nuk mjafton vetëm përmendja e dënimit me vdekje në bisedimet bilaterale apo nota proteste. “Ne dëshirojmë që qeveria gjermane t’i japë më shumë rëndësi luftës kundër dënimit me vdekje dhe në rastin e vendeve që bien në sy negativisht të marrë masa të qarta diplomatike.”