Aktualitet Politikë

Raport-progresi i Komisionit Europian i dorëzohet Tiranës/Vlerësime, kritika e detyra!

Raport-progresi 2024 i Komisionit Europian për Shqipërinë, sot iu dorëzua drejtuesve më të lartë të vendit nga ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, i cili dha një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama. Gonzato theksoi se Komisioni sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE, vitet e ardhshme.

Siç e theksoi edhe presidentja Von der Leyen gjatë vizitës së javës së kaluar, nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë të çelë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të 2025-ës, deklaroi diplomati europian.

Ambasadori Gonzato, vuri në dukje se Komisioni Europian thotë se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat për anëtarësim, deri në fund të 2027-ës. Sipas diplomatit, “këto afate ambicioze mund të bëhen realitet në rast se autoritetet shqiptare intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE-ja”.

Konkretisht të sundimit të ligjit, konsolidimin e bilancit për zbatimin e tij, luftën efektive ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe nxitjen në promovimin e të drejtave themelore duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronësisë e pakicat.

Kryeministri Rama tha se në këndvështrimin e tij, raporti i progresit është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr.

Raporti i progresit, në këndvështrimin tim është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr e mbi të cilin ne i referohemi fjali për fjali në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe e që i referohet fakteve nën dritën e parimeve e të standardeve të funksionimit të institucioneve europiane e të shteteve anëtare.

Më vjen shumë mirë që sot ne marrim një raport shumë pozitiv, më pozitivin e të gjithë këtyre viteve dhe natyrisht i tillë, sepse e tillë është ecuria edhe e vendit dhe Konferenca e Dytë Ndërqeveritare afirmoi aktualisht njohjen nga të gjitha institucionet dhe vendet e BE të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve në këtë fazë të negociatave për anëtarësim.

Kryeministri Rama vuri në dukje se “raporti është më real e më i balancuar dhe siç njeh të gjitha përpjekjet dhe progresin e bërë, shenjon me përpikëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej, si dhe çështjet ku duhet të përqendrohemi për të përmbushur kushtet e anëtarësimit dhe në paraqitjen e përmbledhur të ambasadorit ishte shumë e qartë se cilat janë adresimet që duhen bërë në këtë fazë të re të procesit.

Patjetër që ky proces është një proces që vazhdon por cilido që dëshiron vërtet të kuptojë dhe mësojë se ku ndodhet sot Shqipëria në të gjitha fushat bën mirë ta lexojë këtë raport, sepse askund tjetër nuk do të gjejë një analizë më të përpiktë dhe një panoramë më të vërtetë të situatës aktuale të vendit.