Aktualitet

Rama: Zullumqarët e shëndetit nuk janë pastruar!

Pas skandalit në QSUT, ku mjekët e Onkologjikut drejtonin pacientët me tumor në klinikën private të Edmond Gashit, kryeministri Rama ka mbledhur në takim shefat e shërbimeve, duke prezantuar dhe ndryshimet në ligjin për Urdhrin e Mjekut.

Rama tha se do të ngrihen grupe pune me menaxherë të huaj për të asistuar drejtoreshën e QSUT-së e drejtuesit e tjerë, si dhe do të garantohet autonomia spitalore. Kështu, mjekët do të paguhen bazuar në  performancë.

Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në ministri, janë hapa të duhur në drejtimin e duhur. Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik e kanë në pronësi apo janë në punë edhe në shërbimin privat, është një histori që e dimë mirë nga vjen.

Nga historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar i të shkuarës, në një sistem shëndetësor ku në mes hyri kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore që i garanton mjekëve profesionistë që të shpërblehen përtej tavaneve të pagave, por në bazë të performancës.

Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumëpritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do të duhet ta ketë e që kësaj qendre do të duhet t’i japë fleksibilitetin për t’i shpërblyer profesionistët sipas meritës.

Veprimtaria kriminale e atyre nuk e hedhin dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina e gjetur, në një sistem shërbimesh funksionale. Përkundrazi kjo që ndodh në këto momente na bën edhe më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma.

Ndërkohë, qeveria ka bërë për kushtet më shumë nga sa është bërë në shumë dekada. Nuk mund të thuhet fatkeqësisht se radhët janë pastruar nga zullmqarët e shëndetit.

Koha e heronjve si Besim Elezi, ia ka lënë vendin një kohe tjetër që i jep krah të reja edhe veseve të saj duke e bërë individin rëndom të pandjeshëm për detyrimet.

Rrjeta e merimangave të Onkologjikut ishte edhe më zi, ishte krim kundër njerëzimit, kundër njerëzores. Të kërkosh sot heronj si Besim Elezi ku mjekët shkonin në luftë me shpata, nuk është mision i pamundur, po të mos ishin heronjtë kur bota u përball me pandeminë, disa prej të cilëve ishin në këtë qendër spitalore, disa vdiqën, numri i shqiptarë që vdiqën do të ishte edhe më i madh.