Aktualitet Politikë

Rama: Strehuam afganët, s’do ishte çudi që SHBA ta harronte zotimin …

Në konferencën me homologen italiane Meloni, kryeministri Rama u ndal edhe në strehimin e afganëve në vendin tonë, për të cilët tha se kanë mbetur edhe 350. Rama tha se i hapën derën afganëve, ndërsa vende europiane i kthyen shpinën dhe Shqipëria mori përsipër një riskun që afganët të mbesnin në vendin tonë.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek SHBA, duke thënë se “nuk do ishte çudi që t’i linte afagnët këtu, pasi duke qenë shumë të mëdhenj e harrojnë zotimin”. Rama tha se për afganët paguajnë hotelin dhe nuk thonë hajdeni merrini se do i hedhim në det.

Kryeministri u shpreh se edhe kur Shqipëria ka pasur nevojë Italia i hapi dyert, kur të gjithë largoheshin nga ferri i komunizmit. Sa i takon Marrëveshjes, Rama shtoi se nuk bëjnë zë për 3 mijë njerëz që janë në vështirësi dhe bien pre e trafikantëve të qenieve njerëzore.

“E thash më parë me rastin e afganëve, i morëm disa mijëra afganë menjëherë. Kur vende të NATO-s i refuzuan. Morëm përsipër një risk, që mund të na i linin gjithë këtu, s’do shite çudi që SHBA ta harrojë këtë zotim, se duke qenë shumë të mëdhenj e harrojnë zotimin, gjërat që edhe kanë ndodhur, se kam kritikë e kam konstatim. Ja që një pjesë e tyre lëviz, kemi rreth 350 që nuk pranohen atje janë këtu. E keni dëgjuar ju të themi hajdeni merrini se do i hedhim në det, jo i mbajmë në hotel dhe i paguajmë ne. Siç na kanë mbajtur ne kur kishim nevojë kur iknim nga ferri i diktaturës komuniste dhe përplaseshim në dyert e italianëve. Kështu është jeta, ka një kohë për të marrë dhe për të dhënë.

Ne kemi pasur italianë që ka pasur mundësinë të na japë shumë, ne kemi mundësi të japim pak, s’ka asnjë shqetësim në këndvështrimin tim. Ka edhe një pikë tjetër marrëveshja, janë 3 mijë vende fikse që mund të akomodohen në Gjadër. Aty do trajtohen sipas ligjeve dhe rregullave të Italisë demokratike dhe pastaj ata që do pranohen do shkojnë në Itali. Ata vende që do lirohen prej tyre do mund të rimbushen. Edhe sikur të themi Italia e mbyll me kaq ne s’mund të bëjmë asnjë zhurmë dhe asnjë naze për 3 mijë njerëz në hall dhe që janë viktima të trafikantëve që u marrin dhe lekun e fundit dhe i sjellin lakuriq. Gjyshërit tanë s’kanë dorëzuar asnjë hebre, ashtu siç kanë marrë në mbrojtje mijëra ushtarë italianë që i kërkonin nazistët, i fshehën derisa i përcollën për Itali. Këtu askush s’po rrezikon jetën, përkundrazi jeta juaj që ndiqni këto ngjatje bëhet edhe më interesante se keni dhe lajme dhe situata që mund t’i përshkruani”, tha Rama.

Në përgjigje të akuzave të mëhershme të gazetarëve italianë pas transmetimit të reportazhit RAI3, Rama shtroi pyetjen se përse gazetarët që kanë ardhur këtu, për të investiguar kampin e refugjatëve në Gjadër, nuk kanë evidentuar se ne jemi një vend që kemi pranuar të mbajmë afganët, në një kohë që asnjë vend i Europës nuk pranoi që t’i strehonte ata.