Aktualitet Sport

Rama: Skuadra shqiptare largohet nga ky Europian me kokën lart!

Kryeministri Edi Rama falënderoi Kombëtaren Shqiptare të Futbollit për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të Futbollit “Euro 2024”.  Në një postim në rrjetet sociale, pas ndeshjes së Shqipërisë me Spanjën, ku humbi me rezultatin 0-1, Rama tha se skuadra shqiptare largohet nga ky Europian me kokën lart.

Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi së lojtarit të 12.

Skuadra jonë largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit, që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush.

Në tri ndeshjet e zhvilluara në Gjermani, Kombëtarja jonë u mund nga Italia me rezultatin 2-1, barazoi me Kroacinë me rezultatin 2-2 dhe mbrëmë humbi ndaj Spanjës, 0-1.

Pas eliminimit të Shqipërisë në fazën e grupeve të Europianit, “Gjermani 2024”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shpreh se duhet të jemi krenarë. Në një postim në rrjetet sociale, numri një i FSHF-së theksoi se krenarë duhet që të jemi për shumë arsye dhe mes tyre veçoi pjesën që “mbushëm sheshet dhe rrugët në Gjermani, duke shpërndarë dashuri”.

Faleminderit!

Jemi jashtë Euro 2024, pas tre ndeshjesh në një grup me skuadra si Italia, Kroacia e Spanja, por duhet të jemi krenarë. Duhet të jemi krenarë që djemtë na sollën në këtë Europian, duhet të jemi krenarë për atë që dhanë në fushë, duhet të jemi krenarë që u dhamë bukuri tribunave me ngjyrat tona kuqezi, që mbushëm rrugët dhe sheshet në Gjermani duke shpërndarë shumë dashuri, përmes sportit më të bukur në botë, futbollit.

Më herët, trajneri Silvinjo tha se shorti dhe grupi ishin të vështirë e se nuk jemi mësuar të luajmë në kompeticione të tilla, por se arritën të ishin kundërshtarë dinjitozë e nuk kanë keqardhje.

Urime për lojtarët, Shqipëria është krenare me ne. Synimi i Shqipërisë është të luajmë në evenimente të tilla, të arrijmë në nivele më të larta duke mësuar e duke u përmirësuar. Kemi synime të qarta, kemi lojtarët e duhur. Na pret një punë e madhe, por kemi materialin e duhur.