Në episodin e parë të sezonit të tretë, të podcast-it “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar dy personazhe të fushës së turizmit. Gladiolën dhe Eltonin, Rama i cilësoi “dy patronazhistë të Shqipërisë turistike”.
Dy protagonistë, në një farë mënyre gjysmë veteranë të historisë së rënies dhe pastaj shkëlqimit të turizmit në Shqipëri. Nga njëra anë, Eltoni e nga ana tjetër Gladiola. Dy qytetarë të një vendi që vijnë nga dy eksperienca krejt të ndryshme në fushën e turizmit, por që kanë të përbashkët faktin që të dy kanë studiuar jashtë, për t’u kthyer e filluar të ecin duke i hyrë “detit në këmbë” deri në momentin kur u hap qielli dhe tanimë gjendemi jo përballë të panjohurës, nëse do të bëhet ndonjëherë apo jo ky vend apo do të ketë ose nuk do të ketë turizëm, ashtu siç e meriton ky vend. Por, përballë sfidave të tjera, që janë sfida të një vendi që ka hyrë në një ligë tjetër e po përballet edhe me çfarë sjell ky transformim. Sjell të mira padiskutim, por edhe probleme që duhen adresuar.
Faktikisht, një nga problemet që bëhet gjithmonë e më i mprehtë është i cilësisë së kapitalit njerëzor në fushën e turizmit, të trajnimit profesional, të cilësisë profesionale të aftësimit të atyre që kontribuojnë në të gjithë zinxhirin e mikpritjes. Duke nisur nga ata që presin në recepsion.
Shumëkush mund të thotë: çfarë trajnimi mund t’i duhet atij që rri e pret njerëz e duke vazhduar me të gjithë. Pa harruar asnjëherë kamarierët, që janë edhe kartëvizita e çdo hoteli apo restoranti, kontakti i parë i kujtdo që hyn aty e ulet për të shijuar ushqimin. Dhe me menaxherët, e gjithë pjesët e tjera të sistemit.
Ndërkohë, Gladiola tregoi fillimet e saj, për të mbërritur aty ku është ngjitur sot, në një trajnuese të sipërmarrësve në fushën e turizmit, por edhe të bijve e bijave të tyre, ata që do të trashëgojnë bizneset.
Kur u ktheva në vitin 2003 nga Austria, hapa nje Akademi për trajnim në Hoteleri-Turizëm. E kuptova që isha në fushën e gabuar. U riktheva 10 vite më parë, hapa Akademinë e Mikpritjes së Turizmit, ku ofroj trajnime profesionale. Ndjeva që është momenti e realisht nuk është se kisha kapitale të mëdha. Kisha thjesht dëshirën. Kisha një punë ekstra dhe paratë që merrja nga paga ime do t’i investoja. E ndjeja që ishte momenti, vija e formuar por është edhe pasioni që e kupton kur është momenti për të nisur.
Gladiola rrëfeu se e pati nisur me trajnimin e kamarierëve, por nga pikëpamja e biznesit, po dilte jashtë tregut.
Sot trajnoj sipërmarrësit dhe i trajnoj duke i kritikuar qoftë për cilësinë e shërbimit, mangësinë e njerëzve që janë në treg apo edhe cilësinë e turistit që vjen. Ndodhi që kam 6 vite që trajnoj sipërmarrësit e kryesisht drejtuesit e lartë të Hoteleri-Turizmit. Më pas, ata kërkojnë trajnimin e stafit në mënyrë që bizneset e tyre të jenë të qëndrueshme.
Ndërkaq, Eltoni e nisi dhe e vazhdoi në këmbë duke krijuar një sipërmarrje të vogël për të shoqëruar turistët.
Me përjashtim të periudhës së COVID-19/ës, nga momenti i parë që kam nisur në vitin 2008, kam punuar “me të dy këmbët”. Në vitin ’95 isha i trajnuar nga një program i USAID-it. Më 2000-shin shkova në Zvicër, por kuptova që dielli ndrit e nxeh veç në Shqipëri.
U ktheva me idenë për të ngritur një agjenci turistike. Pas kësaj u hodha në ëndrrën time të madhe, atë të udhërrëfyesit dhe nga 2008-ta, më kujtohet shumë mirë, kisha tre amerikanë klientë të parë e fitova 500 dollarë që dukeshin një arritje fantastike. Nga ai moment e më pas e kam parë interesin për Shqipërinë, diku në pezull deri nga fundi i viteve 2000 dhe pas vitit 2010 nisi të rritej.
Kryeministri Rama foli dhe për investimet në infrastrukturën e vendit:
Turizmi konsiderohet eksport. Ti nuk e merr mallin ta çosh jashtë, por merr konsumatorin nga jashtë e sjell këtu.
Eltoni dhe Gladiola u shprehën se është i nevojshëm lobimi për të marrë turistë përgjatë gjithë vitit. Rama informoi se shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i resortit të parë të skive në zonën e Korçës.
Së shpejti do të fillojmë resortin e parë të skive në zonën e Korçës. Eshtë një projekt fantastik nga një grup investitorësh serioz nga Austria. Arkitektët janë austriakë, autorë të resorteve më të famshme të Austrisë dhe Zvicrës.