Sheshi i sapopërfunduar i Çerçizit në Gjirokastër, një hapësirë që ende nuk është inauguruar nga autoritetet, është kthyer tashmë në një atraksion turistik.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot punimet që janë kryer në këtë shesh, i cili sipas tij, është projektuar si rijetësim i arkitekturës autoktone të qytetit, me mundësi për veprimtari ekonomike, artistike e kulturore.
Ndërkohë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bashkë me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi vizituan sot sheshin dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve në këtë qytet.
Duke u ndalur te sheshi i Çerçizit, Kumbaro u shpreh se “sheshi ka mbaruar tashmë dhe është kthyer në një arenë fantastike, skenë koncertesh dhe akivitetesh kulturore por edhe panairesh të hapura”.
“Na mori ca kohë ndërtimi i sheshit dhe detajet estetike, por besoj se një nga gjërat e bukura janë edhe këto dritaret që imitojnë arkitekturën e qytetit. Këto janë kthyer tashmë në vende për të bërë fotografi”, tha Kumbaro.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se në bashkëpunim me MEKI-n, Drejtorinë Rajonale të Kulturës dhe me bashkinë po punohet për t’i dhënë të njëjtin ndriçim edhe këtyre monumenteve historike që identifikojnë qytetin e gurtë.
Ndërsa kryetari i bashkisë, Golemi u shpreh se përveç sheshit këtu është ndërhyrë në gjithë mozaikun si fasada e bashkisë apo edhe Qendra Kulturore e fëmijëve e rikonstruktuar totalisht
Ministrja theksoi se kjo qendër ofron ambiente të ngrohta dhe dinjitoze për të gjithë fëmijëve që kanë pasion artet, zejtarinë, qëndisjen e shumë zanate që i rrinë për shtat qytetit, përmes kurseve falas.
“Rritja ekonomike që ne e shohim nga shifrat, në fakt vjen nga investimet. Ekonomia zinxhir në turizëm është perfekte. Çdo gjë që ne bëjmë sot na i sjell në rritje ekonomike dhe të ardhura. Përndryshe nuk do t’i rrisnim dot rrogat siç ka ndodhur me mësuesit e arsimit profesional që u shkon rroga 900 euro në muaj. As nuk e imagjinonin dot 7-8 vite më parë këtë”, tha Kumbaro.