Aktualitet Politikë

Rama: Samiti i Komunitetit Politik Europian, vitin tjetër në Tiranë!

Samiti i Komunitetit Politik Europian që dje u mbajt në Londër, vitin tjetër do të zhvillohet në Tiranë. Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi se ky është një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, u shpreh Rama.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama mori pjesë në punimet e Samitit të katërt të Komunitetit Politik Europian që u zhvillua në Britaninë e Madhe dhe ku u organizua një pritje për liderët nga mbreti Çarls III dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Gjithashtu, u organizuan dy tryeza të rrumbullakëta: një për emigracionin e paligjshëm që u bashkëdrejtua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama; një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë, që u bashkëkryesua nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidenti malazez, Jakov Milatoviç.

Po ashtu, kryeministri Rama pati një takim me homologun grek Kyriakos Micotaqis. Në një foto të publikuar nga ministrja Elisa Spiropali, Rama dhe Micotaqis u panë në një bashkëbisedim. Kjo në kohën kur siç dihet, prej më shumë se një viti, për shkak të çështjes Beleri, raporti i kryeministrit të Greqisë më Tiranën zyrtare ka kaluar në ulje e ngritje të vazhdueshme.