Aktualitet

Rama: Ruajtëm lumin e fundit të egër në Europë, jo moral nga ndotësit më të mëdhenj!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e tre ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës. Tre kompanitë pjesëmarrëse në garë janë Casanova+Hernandez Architecten, Roterdam, Holandë, CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO, Kopenhagen, Danimarkë dhe Ensamble Studio, Madrid, Spanjë.

Sot ne kurorëzojmë një proces për të hapur më në fund konkursin ndërkombëtar për Qendrën e re Multifunksionale dhe stacionet e informimit përgjatë lumit të Vjosës e hyjmë faktikisht në një fazë të re të konservimit, por dhe të zhvillimit të këtij Parku të jashtëzakonshëm Kombëtar.

Rama u shpreh se nuk ka asnjë vend në Europë, të paktën që të ketë një Park Kombëtar, i cili e përshkon të gjithë trupin e vendit.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë vend në Europë sot që të ketë një lum të egër, gjë për të cilën shpesh herë kemi qenë të detyruar t’ua kujtojmë miqve europianë kur këmbëngulnin se duhet ruajtur lumi i fundit i egër në Europë. Që po, patjetër duhet ruajtur, por më parë sesa të na japin neve leksione si ruhet një lum i egër duhet të kujtohen që të egër kanë qenë edhe lumenjtë e tjerë të Europës, por ata i kanë zbutur për qëllime që natyrisht nuk kanë pasur të bëjnë me mbrojtje të natyrës.

Ne jemi shumë mirënjohës për nxitjen, për inkurajimin për gjithçka që kemi mundur të mësojmë në një proces që nuk ka qenë i lehtë, deri në konfirmimin e vullnetit tonë për ta transformuar Vjosën në një Park Kombëtar.

Por, nga ana tjetër, ne nuk mund të mos e themi që leksionet morale si duhet të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot, aq më tepër në një botë ku ndotësit më të mëdhenj dhe burimet më të mëdha të rrezikut për mjedisin në kushtet e një përpjekjeje globale apo dhe të një sfide globale përballë ndryshimeve klimatike, janë në një pjesë të madhe ata që bëjnë edhe moralin më insistues, si dhe ushtrojnë madje edhe presione të papranueshme ndaj shumë vendeve të tjera që mund të kenë 1001 probleme, mund të kenë 1001 boshllëqe e të meta, por nuk e kanë në kurriz mëkatin e të qenit në klubin e ndotësve dhe shkatërruesve më të mëdhenj të mjedisit në planet.