Aktualitet

Rama: Rreth 800 mijë vizitorë në parqet kombëtare për 4 muaj!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e Kalendarit Turistik të Eventeve përmes aplikacionit TEA 2.0., ku theksoi se “aplikacioni është pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet dhe në realitetin e turizmit kemi përfshirë një komponent, atë të aktivitetit të përditshëm kulturor e artistik si hapësirë që i ofron turistëve e vizitorëve mundësira përtej plazhit e diellit”.

Në fjalën e tij, Rama tha:

Një shifër kam dëshirë ta ndaj me ju, një shifër domethënëse jo shumë e paimagjinueshme deri pak vite më parë, shumë kuptimplotë për çfarë po përpiqemi të bëjmë, por edhe shumë orientuese si do të shkojë më tej. Monumentet historike dhe sitet arkeologjike vetëm në 4 muajt e parë të 2024 kanë tërhequr 182 mijë vizitorë, parqet tona kombëtare e natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë.

Këto janë shifra marramendëse po të kemi parasysh se nga jemi nisur, por se nga jemi nisur është gjithmonë e më pak e rëndësishme për ne. Gjithmonë e më shumë e rëndësishme për ne është se ku duam të shkojmë dhe për këtë kemi fiksuar edhe marrjen e vitit 2030 si një pikë ku jo vetëm transformimi i deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm, po ku Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit.

Ju sot u njohët me verisonin e ri të aplikacionit, i cili është një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit dhe që do të vazhdojë të përmirësohet apo pasurohet më tutje edhe me një gjenerator të Inteligjencës Artificiale, i cili do të bëjë të mundur turistëve e vizitorëve që të bëjmë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit e po ashtu që të kenë në dispozicon harta tredimensionale dhe opsione të reja për të pasur një përvojë sa më të plotë të vizites së tyre në vendin tonë.

Por, nuk vetëm ky aspekt, sepse ajo që është e rëndësishme të theksohet se aplikacioni në fund të fundit është një pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet dhe në realitetin e zhvillimit të turizmit, ne kemi përfshirë një komponent që çdo vit bëhet më i pranishëm. Eshtë komponenti i aktivitetit të përditshëm kulturor dhe artistik, si një hapësirë që i ofron turistëve dhe vizitorëve mundësira përtej plazhit, diellit, rërës, pushimit, hotelit.

Kryeministri Rama tha se “u ofron edhe mundësinë e marrjes me vete nga Shqipëri jo vetëm të një shijeje të mirëlidhur me ato që thashë, por edhe të një dije më shumë mbi  vendin tonë, për të pasur shumë më tepër për të mbajtur mend nga vendi ynë dhe për të pasur shumë më tepër për të folur për vendin tonë”.