Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të fillim jave shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës, ku këtë vit numri i të regjistruarve ka arritur në 1 mijë e 200 nxënës në total.
Sipas kryeministrit, kjo shkollë “ka këtë vit 400 regjistrime të reja, 20% më shumë se një vit më parë, dëshmi reale se çdo vit e më shumë të rinj po orientohen drejt arsimit profesional”.
Kreu i qeverisë u takua me studentët e vitit të parë. Ai premtoi konvikte të reja me të gjitha standardet për studentët që vijnë nga rrethet, ndërsa u shpreh se zanati që po marrim është gjithnjë e më i kërkuar në tregun e punës.
“Do t’ju bëjmë një konvikt dhe nuk do të keni më qejf të mbarojë shkolla. Do vij prapë vitin tjetër dhe nëse nuk është si them unë, do e bëjmë nga e para. Do të jeni sikurse nuk keni qenë ndonjëherë. Me këtë zanat që po mësoni pastaj do të jeni siç do doni të jeni. Do ketë gjithnjë e më shumë nevojë për ju në treg se sa për ca njerëz me diplomë, por që nuk dinë të bëjnë asgjë”, tha Rama.
Kjo shkollë e akredituar në pesë drejtime të ndryshme; Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Elektroteknikë, Termohidraulikë, Mekanikë, 2 drejtime mësimore pas të mesme.
Top Channel