Operacionet në spitale do mund të bëhen edhe me robotë në vitin 2030. Këtë e ka deklaruar Kryeministri Edi Rama i cili tha se po punohet së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë shumë shpejt robotët në Shqipëri.
“Do vazhdojmë ti pajisim spitalet me aparaturat më të fundit. Po punojmë me ministren për të sjellë robotë për operacionet që është një tjetër shkallë. Besoj shumë që kemi arsyet të ndihemi të inkurajuar dhe optimist, dhe pa diskutim që tani më shumë sesa dje, kur e thonim që shumë gjëra duheshin bërë për ta besuar, kemi shumë realitet për ta besuar plotësisht se Shqipëria e 2030 do jetë një vend me shërbim shëndetësor që do u krijojë shqiptarëve kushtet psikologjike të plotë për të mos shkuar jashtë, përveç rasteve kur ka nevojë për operacione të super specializuara”, tha Rama.
Pas Spitalit Rajonal “Memorial” në Fieri, edhe pesë spitale të tjera në vend kanë përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka dorëzuar sot Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalit Rajonal Durrës, Spitalit Rajonal Shkodër, Spitalit Rajonal Lezhë dhe Spitalit Rajonal Vlorë, Kartën e Autonomisë Menaxheriale.
Më herët, kryeminstri teksa theksoi se shërbimi në spitalet publike ka kaluar në një tjetër nivel, duke konkurruar edhe ato në strukturat private, kreu i qeverisë dha lajmin se në të gjithë spitalet publike që do të pajisen me kartën e autonomisë spitalore, mjekët do të kenë mundësi që pas orarit të punës të ofrojnë edhe shërbim jashtë orarit dhe të marrin 70% të pagesës për këtë shërbim, ndërsa 30% i kalojnë spitalit.