Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mëngjesin e sotëm uroi fitoren e Vangjel Tavos, kandidatit të kësaj partie për kryebashkiak të Himarës, fitues në zgjedhjet e një dite më parë, me 58.61% të votave. Rama theksoi vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut. Në një postim në rrjetet sociale, shefi i qeverisë shkruan:
MIRËMËNGJES dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë!
Vangjel Tavo i Partisë Socialiste, fitoi zgjedhjet e pjesshme të një dite më parë në një garë ku u rivalizua nga Petro Gjikuria si kandidat i opozitës. Tavo tha se fituan himariotët dhe deklaroi se Gjikuria është i mirëpritur si nënkryetar i bashkisë. Ai mori mbi 5 mijë vota, pra 58.62% kundrejt më shumë se 3 mijë e 500 të Gjikurisë, 41.38%. Pjesëmarrja ishte 37.69% referuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ.
Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Na besuan vijimësinë e mandatit 2023. Që sot nisim punën për të gjithë atë që iu kemi premtuar banorëve. Problemet nuk kanë ngjyrë e as Himara nuk ka ngjyrë. Fillojmë nga puna, të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka, ne do të vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi. Oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar. Të them të drejtën e prisja fitoren me 1200- 1300 vota.
6 mijë zgjedhës në Himarë nuk e ushtruan dot të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit kishte skaduar. Për shifrën që u konfirmua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deputeti demokrat Flamur Noka tha se “Celibashi e pohoi me gojë që në Shqipëri kush fiton e vendos Rama”. KQZ-ja tha se nuk ka kompetencën për zgjatjen e afateve të dokumenteve të identifikimit.