Aktualitet

Rama për “Reuters”-in: Për emigrantët nuk ka marrëveshje tjetër si ajo me Italinë!

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, kryeministri Edi Rama përjashtoi çdo mundësi që të ketë një marrëveshje të ngjashme me atë të Italisë për emigrantët me shtete të tjera në Bashkimin Evropian. Rama u shpreh:

Gjermania duhet të gjejë një partner tjetër sepse Shqipëria ka krijuar një marrëveshje me Italinë dhe Shqipëria nuk mund ta bëjë këtë me të gjithë. Dhe nëse Gjermania gjen një partner tjetër në rajon do të ishte mirë të shihej nëse funksionon në të njëjtën mënyrë.

Kur mbeten edhe pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, shefi i qeverisë shqiptare shfaq hapur objektivin e tij për të kandiduar për një mandat të katërt si kryeministër.

Plani është të kandidojmë. Unë besoj se duhet të kandidoj sepse ka punë për të përfunduar. Në këto tre mandate, ne kemi bërë gjëra të mahnitshme. Shqipëria ishte vetëm një lajm i keq kur bëhej fjalë për lajme, por tani kemi kapërcyer tavanin e 10 milion turistëve në një vend ku turizmi ishte një ide e mirë, por nuk ishte bërë ende realitet. Ka ende shumë gjëra për t’u bërë, siç është lufta kundër korrupsionit që duhet të jetë një luftë e pakthyeshme.

Dhe një nga arsyet që sipas tij, shqiptarët duhet t’i besojnë socialistëve një mandat tjetër është edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Mundësia është tani më shumë se kurrë. Kështu që synimi ynë gjithsesi është që ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar si një vend për të bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, duke përfshirë të gjitha reformat e ndërtimit të institucioneve, të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet brenda vitit 2030.

Ndërkaq, referuar mediave italiane, në dy qendrat e ndërtuara nga Italia në Shëngjin e në Gjadër të Lezhës, këtë javë pritet të shkojnë emigrantët e parë në pritje të procedurave të azilit. Për gazetën “La Repubblica”, Rama tha se ndërtimi dhe menaxhimi i tyre është diçka që “absolutisht nuk ka asnjë lidhje me qeverinë shqiptare”. Në një intervistë u shpreh se ajo që ndodh brenda në kamp nuk i shqetëson, pasi është “përgjegjësi e palës italiane”.

Kryeministri nënvizoi se në bazë të marrëveshjes parashikohet se nuk mund të largohen nga kampi e të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, “një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje”.